Humbi bashkëshortin në Thumanë, Klotilda Greku sistemohet në apartament të ri në Tiranë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/502193410395410/

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ Klotilda Greku do të humbiste bashkëshortin e saj Sajmir Grekun bashkë me vjehrrin dhe vjehrrën nga tërmeti që goditi vendin më 26 nëntor. Vetëm fati do e shpëtonte Klotildën dhe vajzën e saj të vogël natën e tragjedisë, pasi kishte shkuar në Dibër tek prindërit e saj.

Ajo u vizitua sot në banesën e saj të re 2+1 në Tiranë nga Kryeministri Edi Rama dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilët i garantuan mbështetje të plotë me gjithçka që ka nevojë. Krahas apartamentit të ri i cili është mobiluar me çdo gjë të nevojshme dhe mbështetjes së menjëhershme financiare, po punohet për t’i lidhur vajzës një pension të posaçëm për shkollim.

Bashkia e Tiranës është angazhuar që bashkë me qeverinë të sistemojë me banesa dhe të mbështesë financiarisht të gjithë familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur nga tërmeti. Nga ana tjetër, do të rindërtohen të gjitha banesat e dëmtuara, ndërkohë që ato me dëmtime të pjesshme do të meremetohen.

Gjer në zgjidhjen përfundimtare, bashkia e Tiranës ka ofruar bonus qiraje 100 % për familjet e prekura nga tërmeti.

Gjatë bashkëbisedimit me familjarë të familjes Greku, Kryeministri Rama u ndal në mënyrë të veçantë tek fëmijët, të cilëve u dhuroi edhe disa lodra. Kryeministri u interesua se si po kalonin në shtëpinë e re dhe nëse u mungonte gjë.

Rama tha se “tërmeti i 26 nëntorit ishte një situatë e rëndë. Ne jemi në dispozicion të të gjithëve të prekurve. Tani kemi vendosur bazën e sistemit për të prekurit dhe siç e kishim vendosur, brenda 15 dhjetorit të gjithë do të jenë në shtëpi të reja”.

“Rrugën e Arbrit, – tha Rama, – do ta mbarojmë plotësisht në 2021. Ajo rrugë është në një zonë të bukur, pasi i ka shpëtuar dorës së abuzimit dhe pas ndërtimit do t’i japë zhvillim agroturizmit të zonës. S’kemi çfarë t’i bëjmë jetës që ikën, por për të tjerat do të përpiqemi për të gjithë që kanë marrë goditje, por e juaja ishte prioritare. Besoj se do t’i rregullojmë të gjithë”.

Rama u ndal tek një rast në Kamëz, dhe tha se, edhe banorëve të prekur në atë zonë do t’u jepet bonusi i qirasë.

Gjatë bashkëbisedimit me vajzën e vogël, Kryeministri tha se, “ne do të ndërtojmë kampusin e ri universitar, një model shembullor, që kur të shkojë vajza në universitet, të ketë kampus”. Ndaj po punojmë, tha Rama, që kur të rriteni ju, të mos keni taksiratet e atyre që paguajnë borxhet e të kaluarës.

Familjarët e falënderuan Kryeministrin për angazhimin e treguar që në momentet e para, si dhe për përkujdesjen për plotësimin e çdo nevoje. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.