Durrës/ ATSH me ekipin e ekspertëve italianë në inspektimin e 2 pallateve të dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ – I. Vata/ Grupet e inspektimit, të koordinuar me ekspertë shqiptarë dhe të huaj, vazhdojnë të kryejnë verifikimin e banesave në çdo lagje, në çdo pallat dhe derë më derë në Durrës.

Si çdo ditë, para bashkisë Durrës, ata që shfaqen të parët janë ekspertët shqiptarë dhe ata të huaj që nisen në zona të ndryshme për të inspektuar nga afër banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Grupi i ekspertëve shqiptarë dhe italianë kanë vazhduar punën për verifikimin e banesave në njësinë administrative nr.1 në Durrës.
Ekipi në terren vëzhgon nga afër çdo dyshim të mundshëm, plasaritje, çarje që ka ardhur si pasojë e tërmetit, për të konstatuar nëse ka dëmtime të pjesshme të ndërtesës, apo e ka prekur atë në strukturë.
Drejtuesja e grupit të verifikimit në terren të objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, inxhiniere Elsa Kalesha tha për ATSH-në se prej ditësh vazhdojnë inspektimin në terren duke verifikuar banesat nëse kanë pësuar dëmtime, apo janë të sigurta për banorët.
“Ne sot ndodhemi në lagjen numër 1 të njësisë administrative Nr.1 për Durrësin. Gjithë këto ditë kemi vijuar verifikimet në terren. I marrim me radhë objektet dhe në momentin që ne shohim se objekti nuk është bërë me ngjyrë jeshile, çka do të thotë se nuk është kontrolluar, vazhdojmë punën”, tha ajo.
Më tej Kalesha tha se sot u inspektuan dy pallate të bërë para viteve ’90, pasi “kishim një problem që duhej konstatuar me grupe verifikimi më të specializuara. Ndërsa pallati tjetër ishte në gjendje të mirë, pa asnjë dëmtim”.
Do vazhdojmë dhe do shohim objektet a janë të kontrolluara nga grupe të tjera, pasi në një zonë funksionojnë disa grupe që kryejnë verifikime”, tha ajo.
Kaleshi shtoi se “jemi të koordinuar me një grup italian. Kam gjithë javës që punojmë bashkë. Na kanë dhënë një ndihmës, pasi unë jam inxhinierja e vetme në grup, këta kanë eksperiencën e tyre dhe në bazë të gjykimit të përbashkët, bëjmë një konstatim realist”, tha ajo.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.