VIDEO/Derbi Partizani-Tirana, policia masa dhe monitorim të situatës nga salla në “Air Albania Stadium”

TIRANE, 13 dhjetor/ATSH/- Policia e Tiranës ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Drejtori i Rendit Publik Albert Dervishaj ka inspektuar punonjësit e Policisë që kryejnë shërbim në kamerat që monitorojnë stadiumin për derbin Partizani-Tirana.

Dervishaj u ka kërkuar punonjësve të Policisë që të regjistrojnë çdo rast të evidentuar nga kamerat, në rast se do ketë prishje të rendit apo hedhje të lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta.

Në kuadër të ndeshjes Partizani – Tirana në ora 19:00, në stadiumin “Air Albania”, policia ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit.

Në kuadër të masave të marra, policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e qarkullimit të mjeteve nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, në segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara: Sheshi “Nënë Tereza”,  pjesë të segmentit të rrugës “Lek Dukagjini”; Rruga “Dervish Hima” si dhe përreth stadiumit “Air Albania” .

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ. Ndaj shkelësve do të zbatohen me korrektësi dhe përgjegjësi kërkesat e akteve ligjore në fuqi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.