Takimi i Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatike, Cakaj kërkon anëtarësimin e Kosovës: Kontribut për sigurinë

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj theksoi sot domosdoshmërinë e zgjerimit të Kartës së Adriatikut me vende të tjera të rajonit, si Kosova, pasi sipas tij, “kjo do të kontribuojë jo vetëm në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal për përballimin e sfidave, por edhe në integrimin e plotë euroatlantik të tij”.

Në cilësinë e vendit kryesues të Kartës së Adriatikut përgjatë këtij viti, Cakaj kryesoi takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatike (A5), i cili u organizua në Tiranë dhe ku morën pjesë vendet anëtare dhe vëzhguese.

Në fjalën e tij, ministri Cakaj theksoi domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në përballimin e sfidave aktuale për sigurinë e rajonit si dhe vuri në dukje kontributin e Shqipërisë në përballimin e tyre.

Sipas Cakajt, Karta SHBA-Adriatike ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmë të integrimit Euroatlantik të vendeve tona, duke e shndërruar rajonin në një prodhues të sigurisë.

Nga ana e tyre, vendet pjesëmarrëse, pasi vlerësuan lart fokusin e Shqipërisë në kryesimin e Kartës SHBA-Adriatike përgjatë këtij viti, mbështetën domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal për përballimin sa më efektiv të sfidave dhe kërcënimeve aktuale për sigurinë rajonale e më gjerë.

Takimi i shërbeu ilustrimit të aktiviteteve të Kryesisë shqiptare që në përputhje me fokusin e vënë gjatë kryesimit të kësaj nisme, u fokusua në forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A-5, në funksion të përballimit të sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe kryesisht, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Po ashtu, takimi i kushtoi vëmendje përpjekjeve për integrimin europian atlantik të rajonit si dhe domosdoshmërisë së zgjerimit të Kartës SHBA-Adriatike me Kosovën.

Ky takim shënoi edhe fundin e kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike pas së cilës, zyrtarisht, kryesinë e merr Bosnjë-Hercegovina.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.