FOKUS – Pendarovski: Shtyrja e negociatave me pasoja të paparashikueshme dhe të pariparueshme

BERLIN, 13 dhjetor /ATSH-MIA/ – Shtyrja e mundshme e sërishme në pranverë e vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE do të ishte goditje shumë serioze dhe përsëritja e gabimit strategjik të tetorit mund të ketë pasoja të thella, të paparashikueshme, e ndoshta edhe të pariparueshme, vlerëson presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, në një intervistë për gazetën gjermane ”Der Spiegel”.

Pendarovski përkujton se shtyrja e vendimit për fillim të negociatave në tetor ishte goditje e madhe për Maqedoninë e Veriut, por edhe për shumë të tjerë.

”Edhe pse presidenti francez, Emmanuel Macron tha se nevojiten reforma të procesit të zgjerimit të BE-së, të gjithë shpresonin se nuk do të bllokohej fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky ishte zhgënjim i madh për qytetarët tanë, për qeverinë tonë dhe personalisht për mua. Në fund të fundit, ne i bëmë të gjitha reformat dhe marrëveshjet e nevojshme, dhe mbi të gjitha bëmë diçka që është unike në historinë bashkëkohore të botës – për ta zgjidhur problemin me Greqinë që na bllokonte, ndërruam emrin e shtetit”, theksoi ai.

Ai shtoi se edhe shumë politikanë të shquar të BE-së konstatuan se është bërë gabim strategjik dhe se Unioni nuk mund të jetë lojtar relevant gjeopolitik nëse nuk e integron Ballkanin Perëndimor.

Pendarovski thotë se ka marrë bindje nga Macron se problemi nuk qëndron tek Maqedonia e Veriut, por tek BE-ja, së cilës i nevojiten reforma lidhur me procesin negociues, ne druanim se mund të bëhemi Turqia e dytë, e cila me vite është e ngujuar si kandidate e vazhdueshme për anëtarësim.

Shefi i shtetit thekson se Shkupi nuk ka asgjë kundër reformave në procesin negociues dhe është i gatshëm t’i zbatojë reformat e domosdoshme, ndërkaq e pranon edhe modelin e propozuar të rishikimit, por pret që reformat e mundshme të procesit të inkuadrimit të bëhen shpejtë dhe pa shtyrje të mëtejshme.

Për Maqedoninë e Veriut, thekson Pendarovski, është e papranueshme çfarëdo alternative tjetër përveç anëtarësimit të barabartë në BE.

Paralajmëron se distancimi i BE-së nga Ballkani Perëndimor mund t’u japë hapësirë lojtarëve të tjerë dhe të ndikojë negativisht në reformat në vendet e rajonit.

“Ata mund të thonë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut i plotësuan të gjitha kushtet, e ndërruan emrin e tyre, ndërkaq nuk fituan asgjë. Atëherë përse ne të bëjmë përpjekje dhe reforma serioze? Kjo posaçërisht i referohet problemit të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Pendarovski.

I pyetur nëse vakuumin e mundshëm mund ta shfrytëzojnë Rusia, Turqia dhe Kina, ai thekson se nuk dëshiron të emërojë asnjë shtet, por se ka qendra të fuqisë të cilat nuk janë të kënaqura nga zgjerimi i NATO-s dhe BE-së.

”Në atë kontekst vendet e rajonit shpesh herë janë pre e lajmeve të rreme, dezinformimit apo fushatave me qëllim destabilizimin”, deklaroi Pendarovski për gazetën ”Der Spiegel”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.