SPAK, Ibrahimi: Në 19 dhjetor nisin punën 8 prokurorët e parë të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion

TIRANË, 12 dhjetor  /ATSH – I. Vata/- “Nga data 20 dhjetor, Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda do të pushojnë së funksionuari”, deklaroi sot kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Gent Ibrahimi në një prononcimi për mediet pas përfundimit të mbledhjes së KLP.
Një javë nga ngritja e SPAK, KLP vendosi sot transferimin në prokuroritë e rretheve të prokurorëve të Krimeve të Rënda që kanë mbajtur në duar edhe dosjet më të bujshme të drejtësisë në vend.
Ibrahimi tha se ky transferim nuk është bërë duke marrë pëlqimin e prokurorëve, për shkak se parësore është struktura dhe jo interesat individuale.
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është shprehur se me datë 18 Dhjetor do të intervistohen kandidatët për SPAK, Edvin Kondilli Arben Kraja dhe Altin Dumani.
“Dosjet e tyre janë tashmë në këshill. Do t’i dëgjojmë ata. Seancat dëgjimore do jenë publike, do bëjmë një mbulim qendror për mediet siç bëmë me kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm. Metodologjia rrjedh nga rregullorja jonë. Ne kemi marrë një vendim në bllok për të sistemuar në bllok këta prokurorë. Caktimet e përkohshëm nuk kërkojnë pëlqimet e prokurorëve. Primar është sistemi dhe jo interesi individual”, tha Ibrahimi.
Në lidhje me Strukturën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Ibrahimi tha se në datën 19 do fillojnë punën ata 8 prokurorë që kemi caktuar.
Në lidhje me emërimin e prokurorëve Ibrahimi tha se ngarkesa më e madhe e punës është në prokurorinë e Tiranës.
“Pavarësisht problematikave të Durrësit, ngarkesa në Tiranë është më e madhe. Në datë 20 nuk do ketë prokurori dhe as gjykatë të Krimeve të Rënda. Sot jemi para një situate se nuk kemi marrë një vendim individual për Donika Prelën por në kuadër të strukturimit”, tha ai. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.