TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi deklaroi sot projektligji “Për Mediet Audiovizive dhe Komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, në asnjë dispozitë të tij nuk cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e tregut të medies audiovizuale dhe elektronike.
Komisioni i Integrimit diskutoi sot mbi këtë projektligj, që sipas Mesit, “synon përcaktimin e disa rregullave dhe vendosjen e disa standardeve etike, në mënyrë që të respektohen dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut, si dhe të përmirësohet cilësia e informimit dhe e diskursit publik”.
Mesi tha se “mediet elektronike (on-line) janë gjithnjë e më tepër në rritje dhe po shndërrohen në influencuesin dhe informuesin kryesor”.
“Në këto kushte, duke theksuar veçanërisht influencën e portaleve on-line dhe duke marrë parasysh zhvillimet teknologjike, shkencore, ekonomike sociale etj, dhe dimensionet e mëdha që ka marrë roli i teknologjisë dhe internetit në përhapjen e informacionit është e nevojshme që paralelisht të zhvillohet dhe ndryshojë edhe legjislacioni për fushat përkatëse”, tha Mesi.
Ajo tha se “për të mbrojtur veçanërisht dinjitetin dhe reputacionin e individit, të miturit nga përmbajtjet e dëmshme dhe të gjithë qytetarët nga nxitja ndaj urrejtjes, dhunës etj., propozohet amendimi i këtij ligji, si një nismë mbështetëse për zbatimin efikas të ligjit për mediet audiovizive, i cili parashikohet të përfshijë në kontekstin e tij edhe rregullimin e medieve elektronike.
Mesi tha se në Shqipëri është e nevojshme marrja e masave për regjistrimin e portaleve/ on-line të medies për të siguruar: shmangie të konfliktit të interesave, ndikimit të papërshtatshëm mbi medien të aktorëve politikë ose ekonomikë, garantimin e pavarësisë së medies si dhe pluralizmit të medies; mbikëqyrje nëse medie është e përqendruar në duart e një apo dy-tre pronarëve, çka do të cenonte pluralitetin e medies në përmbajtje; i) formalizimin dhe regjistrimin e punësimit të gazetarëve në portalet on-line, të cilët nuk kanë kontratë as mbrojtje sociale (sigurime shoqërore, shëndetësore)./m.m/