OSBE, raport për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet prokurorisë dhe policisë gjyqësore në Shqipëri

TIRANË, 12 dhjetor  /ATSH – I. Vata/- Prezenca e OSBE-së ka qenë në kontakt të vijueshëm me prokurorë dhe oficerë policie në gjashtë qarqe kryesore të vendit – Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Shkodër – për të kuptuar më mirë nevojat dhe sfidat që hasin ata në punën e përditshme dhe në bashkëpunimin mes tyre.
Në përfundim të kësaj pune, OSBE u shpreh se ka paraqitur raportin “Rritja e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet prokurorisë dhe policisë gjyqësore në Shqipëri”. Sipas raportit, bashkëpunimi dhe komunikimi mes prokurorëve dhe oficerëve të policisë është i mirë; megjithatë raporti identifikon edhe fusha ku duhet përmirësim, si edhe bën rekomandime.
“Prokurorët dhe policët janë dy anë të së njëjtës monedhë. Ata nuk mund ta luftojnë krimin pa njëri-tjetrin, prandaj është thelbësore që të komunikojnë dhe të ndërveprojnë në mënyrë të efektshme”, tha kryetari në detyrë i Prezencës, Robert Wilton.
Ai shtoi se Prezenca mbetet e gatshme për të mbështetur përmirësimin e këtij ndërveprimi.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.