Felaj në Washington: Avancim i legjislacionit në funksion të mos cenimit të sigurisë

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ “Avancimi i legjislacionit në funksion të mos cenimit të sigurisë dhe bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe private mbetet mjaft i rëndësishëm”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Sigurisë.

Bashkë me një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, Felaj ndodhet në Dirksen Senate Office Building, Washington D.C , ku po diskutohet mbi çështjet e sigurisë.

“Çështjet e sigurisë janë po aq komplekse sa dhe koha që jetojmë. Siguria dhe ekonomia; kush po investon sot në ekonomi, në teknologji, në të gjitha zhvillimet e reja? Cilat grupe? Cilat kompani? A priret sjellja e tyre në treg nga qenia në mirëbesim ose jo? Të gjitha këto pyetje etj po diskutohen sot në Dirksen Senate Office Building, Washington D.C”, tha Felaj.

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë u shpreh se “këto pyetje shtrohen njëkohësisht dhe për Shqipërinë e mbi të gjitha për secilin nga ne në politikë”.

“Në çdo rast i rëndësishëm ngelet bashkëpunimi me aleancat ku bëjmë pjesë, bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe private, avancimi i legjislacionit në fushë, në funksion të mos cenimit të sigurisë”, tha Felaj.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.