Blushi: Nëse Dvorani merret si i pandehur nuk bllokohet puna e KED

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ -Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka sqaruar sot se marrja si i pandehur i Ardian Dvoranit nuk do të pengonte punën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

I pyetur nga gazetarët në lidhje me pretendimin e Ardian Dvoranit se, nëse ai do të merrej i pandehur nga Prokuroria, atëherë kjo do të sillte bllokimin e funksionimit të KED-së, Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi sqaroi se, “kjo është një alibi e neveritshme për t’i shpëtuar drejtësisë për veprat penale që Ardian Dvorani ka konsumuar dhe për të cilat është kallëzuar penalisht në Prokurori”.

“Ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit”, theksoi Blushi.

“Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore”, tha ai.

“Edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy Rende Dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjegjshmërisë së këtij individi , përkundrejt zbatimit të transparencës së ushtrimit të detyrës ashtu siç kushtetuta dhe ligji ia kërkon”, u shpreh Blushi.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.