Basha: Ende nuk është bërë evidentimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 12 dhjetor  /ATSH – I. Vata/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar sot takimet me banorët e dëmtuar në zonën e Plazhit në Durrës, duke deklaruar se qeveria është e paaftë të menaxhojë situatën.
Në fjalën e tij, Basha tha se “tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah Shqipërinë e vërtetë, nxori në pah paaftësinë dhe abuzimet e qeverisë që gjithë vëmendjen ua kishte kushtuar fasadave dhe projekteve me përfitues 10 oligarkë”.
Sipas Bashës, situata pas tërmetit po keqmenaxhohet nga qeveria dhe ende nuk kemi evidentimin e plotë të banesa të dëmtuara.
“Sot ndihet edhe më shumë dështimi i qeverisë për të menaxhuar situatën pas tërmetit. Sot kemi hyrë në javën e tretë pas tragjedisë së rëndë dhe ende  nuk kemi evidentimin e plotë të: sa banesa janë dëmtuar, sa pallate janë shpallur të pabanueshëm, sa qytetarë kanë mbetur të pastrehë, sa qytetarë janë strehuar në hotele dhe sa janë ende në qiell të hapur. Cila është lista e objekteve të dëmtuara dhe për të cilat deri më tani ka vendim për prishje. Cilat janë shkollat e dëmtuar dhe kur ishin ndërtuar apo rikonstruktuar ato. Është alarmante që ndërkohë që banorët dëshmojnë se nuk na ka ardhur asnjë ekspert për të vlerësuar nëse banesa është apo jo e banueshme. Nuk kemi marrë asnjë ndihmë. Jetojmë në qiell të hapur; “shteti nuk ekziston”, qeveria nuk ndërmerr asnjë veprim vetëm show. Vetëm batuta. Vetëm përqeshje me fatkeqësinë. Kjo është e papranueshme! Kjo është tallje me qytetarët ndër më të varfër në Europë”, tha ai. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.