Rindërtimi pas tërmetit/Lëndët e para pa TVSH në import, hiqet taksa e infrastrukturës

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Lëndët e para që përdoren për ndërtim do të përjashtohen nga TVSH-ja në import, si dhe do të hiqet taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja, që do të kryhen brenda programit për rindërtim nga dëmet e tërmetit.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, në kuadër të programit të rindërtimit të dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, ka propozuar dy amendamente të reja, që krijojnë lehtësi fiskale në ndihmë të këtij procesi.

Ahmetaj tha sot në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, se “heqja e TVSH-së në import për lëndën e parë për ndërtim, brenda programit për rindërtim që do të kalojë me buxhetin, heqja e taksës së infrastrukturës për ndërtimet, brenda programit për rindërtimit, janë iniciativa të Kryeministrit Edi Rama direkt pas datës 26 nëntor dhe synojnë t’i vijnë në ndihmë programit të rindërtimit”.

Ai tha se, programi i rindërtimit të vendit në zonat e prekura nga tërmeti synon të pajisë me banesa qytetarët, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar dhe kanë rezultuar të pabanueshme nga dëmet që solli kjo fatkeqësi natyrore. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.