Qeveria vendim për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti/ Kryetari i Bashkisë jep lejet brenda 5 ditëve

TIRANE, 11 dhjetor/ATSH/- Qeveria ka miratuar sot procedurën e përshpejtuar për pajisjen me leje për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.

Me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi sot në mbledhjen e qeverisë  një ndryshim në vendimin “Për Miratimin e Rregullores së zhvillimit të Territorit.

Sipas këtij vendimi, autoriteti vendor vendos, me procedurë të përshpejtuar, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e paraqitjes së aplikimit në sistemin e-leje, për pajisjen me leje ndërtimi, për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.

“Përjashtimisht, vetëm për këto raste, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejeve të ndërtimit për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile, është kryetari i bashkisë brenda territorit administrativ të bashkisë ku kërkohet leja me procedurë të përshpejtuar”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Aplikimet paraqiten për shqyrtim dhe miratim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve nga ana e Institutit të Ndërtimit, bashkisë përkatëse apo projektuesve të licencuar dhe  dokumentacioni i vetëm që duhet të dorëzohet nga aplikuesi është akti i konstatimit për objektin e dëmtuar, i hartuar nga strukturat përkatëse të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi si dhe projekti teknik/konstruktiv i hartuar nga Instituti i Ndërtimit, bashkia përkatëse apo projektuesit e licencuar.”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.