Italia ndihmë për vlerësimin e dëmeve nga tërmeti, situata e qartë para Konferencës së Donatorëve

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/- Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, deklaroi sot në Tiranë se Italia do të vendosë në dispozicion teknikët e saj që të hartojnë një vlerësim paraprak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, në mënyrë që Konferenca e Donatorëve të ketë një kuadër të qartë të situatës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ministri Di Maio theksoi se “uroj që konferenca e donatorëve të zhvillohet në Tiranë, vendi është i rëndësishëm, por është ende më e rëndësishme niveli i afërsisë që do të tregojnë të gjitha shtetet anëtare ndaj Shqipërisë”.

Më tej ai u shpreh se “arsyeja kryesore për të cilën ndodhem këtu jo vetëm për të kultivuar më tej miqësinë historike që ekziston mes vendeve tona por edhe për të shprehur solidaritetin e palës italiane pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit, gjithashtu edhe për të shprehur mbështetjen nga ana e emergjencave civile italiane dhe për mbështetjen në rrugëtimin e integrimit europian të Shqipërisë”.

“Përpara takimit me Kryeministrin pata rastin të vizitoj edhe një kamp me çadra të ngritur nga departamenti i emergjencave civile italiane në Vorë, ku janë të strehuar rreth 300 shtetas shqiptarë ku pata rastin të marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të proces- verbalit të dorëzimit të dhurimit të materialeve nga an e mbrojtjes civile italiane”, – tha Di Maio.

Më tej ministri italian u shpreh se “me këtë frymë i theksova edhe njëherë Kryeministrit mbështetjen e palëkundur të Italisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe në vijim të vendimit për mos çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE që u mor nga Këshilli i Europës në datat 17-18 tetor. Italia këmbëngul mbi nevojën e një vendimi pozitiv për të dy vendet dhe për të caktuar edhe një datë për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe gjithashtu edhe për një mandat për Komisionin për të përgatitur edhe kuadrin e negociatave”.

Në këtë frymë, vijoi Di Maio, i shpreha edhe Kryeministrit Rama urimin dhe dëshirën tonë që të gjithë aktorët politikë të angazhohen edhe më tej në rivendosjen e një klime politike të tillë në mënyrë që të mos kompromentojë rrugëtimin e integrimit europian të Shqipërisë dhe gjithashtu të bëjë të mundur që të shfrytëzohen më së miri dhe plotësisht potencialet në rritje të vendit, duke favorizuar edhe një ulje të tensioneve dhe hapjen e kanaleve të përballjes dhe dialogut.

Përsa i përket planit dypalësh, Di Maio tha se “marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Italia është partneri i parë tregtar me Shqipërinë dhe është investitori i parë i huaj përsa i përket numrit të sipërmarrjeve. Ne kemi të dhëna të rëndësishme që bëjnë të mundur të zhvillojmë më tej marrëdhëniet tona”.

“Ne do të jemi të lumtur që të fuqizojmë më tej luftën tonë të përbashkët ndaj korrupsionit dhe një bashkërendim të mirë të autoriteteve përkatëse duke rritur gjithashtu edhe fluksin e informacioneve të shkëmbimit jo vetëm të informacioneve por edhe të përvojës. Ka qenë një bisedë e frytshme, por edhe e nevojshme sepse pata rastin që ti theksoj edhe njëherë Kryeministrit afërsinë dhe praninë e Italisë ndaj Shqipërisë jo vetëm për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe përsa i përket goditjes nga tërmeti”. – nënvizoi Di Maio.

Duke folur për ndihmën e Bashkimit Europian për Shqipërinë, Di Maio u shpreh se “BE mund të bëjë më shumë, por do të bëjë edhe me shumë . Faktikisht ato burime që u vunë në dispozicion përbëjnë hapin dhe fazën e parë të ndihmave, sepse populli shqiptar nuk do të lihet vetëm nga populli italian. Në ditët në vijim do të kemi rastin edhe ne takime ne nivele europiane ku Kryeministri Konte , por edhe Italia , do të bëjë të pranishme ndihmesën që duhet ti jepet Shqipërisë për t’iu kthyer normalitetit”.

Ne, vijoi ai, do të punojmë gjithashtu fuqishëm edhe në konferencën e donatorëve dhe këtu kemi edhe kreun e departamentit të Emergjencave Civile që ndodhet gjatë vizitës me mua.

“Është një rast dramatik dhe i shpreh ngushëllimet e mia Kryeministrit Ra,a dhe gjithë familjeve të viktimave që humbën të dashurit dhe familjarët e tyre , por përbën një rast edhe për të shprehur afërsinë e institucioneve europiane ndaj Shqipërisë.

Sipas tij, Shqipëria ka qenë një vend mik për Italinë, por edhe për B-në.

Një theks të veçantë ministri Di Maio i kushtoi edhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Puna që mund të bëjmë së bashku edhe ndaj fenomeneve të paligjshme, që prekën gjithë zonën e Mesdheut sepse sikundër e thashë ne luftojmë nëpërmjet implementimit të ligjeve të reja, kemi një ligj të ri për evazionin fiskal, korrupsionin, por sinergjitë e përbashkëta dhe puna e përbashkët mund të bëjë të mundur edhe rritjen e investimeve nga ana e sipërmarrjeve italiane, nga investitorët privatë”, – theksoi Di Maio.

Ministri i Jashtëm i Italisë tha se “ajo çfarë mund të bëjmë më shumë siç ia shpreha komplimentet edhe Kryeministrit Rama janë politikat e zhvillimit të turizmit. Shqipëria është një vend shumë i bukur gjeografikisht”.

Ai falënderoi ambasadorin italian në Tiranë Alberto Cutillo, për bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha institucionet shqiptare.

“Italia është këtu është një mik i vërtetë dhe u gjendemi pranë në këtë proces dhe në zgjerimin e BE-së dhe është një proces i rëndësishëm jo vetëm për Europën, por edhe për Ballkanin”, – tha Di Maio. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.