HUNGARI – Shteti forcon kontrollin mbi teatrot e subvencionuara

BUDAPEST, 11 dhjetor /ATSH-AFP/ Shumica e kryeministrit nacionalist, Viktor Orban, kaloi sot në parlament një ligj të diskutueshëm, i cili forcon kontrollin mbi menaxhimin dhe emërimet në teatrot e subvencionuara që kanë frikë për pavarësinë e tyre artistike.

Ligji parashikon të detyrojë teatrot komunale, të cilat dëshirojnë të marrin subvencione shtetërore, që të bien dakord për një marrëveshje me qeverinë, për t’i garantuar kësaj të fundit një rol në administrimin e institucionit dhe emërimin e drejtorit të saj.

Projektligji parashikon gjithashtu, krijimin një Këshilli të ri Kombëtar të Kulturës nën drejtimin e një zyrtari të emëruar nga qeveria, i cili do të jetë përgjegjës për planifikimin e zhvillimit dhe financimit të rreth 17 institucioneve kryesore kulturore, përfshirë Operën Shtetërore dhe Teatrin Kombëtar.

Gjatë votimit të ligjit në Parlament, ku partia konservatore Fidezs ka shumicën me dy të tretat, deputetët e opozitës mbajtën maska, në shenjë proteste.

Që nga rikthimi i Viktor Orban-it në pushtet, në vitin 2010, shumë institucione të pavarura janë reformuar nga partia e tij nacionaliste, e cila është kritikuar rregullisht për minimin e ekuilibrit të pushtetit dhe sundimit të ligjit.

Në veçanti, drejtësia, arsimi dhe sektorët e shtypit u janë nënshtruar një organizimi më të centralizuar./ /ervo/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.