Çadra dimërore për banorët e fshatit Mal Bardhë/ Bashkia Kurbin miraton bonusin e qirasë për banorët që u janë dëmtuar shtëpitë

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ – Deputetja e qarkut Lezhë Lindita Nikolla dhe Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara vizituan sot familjet e fshatit Mal Bardhë, të cilave u janë mundësuar çadrat dimërore në oborrin e shtëpisë, teksa një ekip mjekësh italianë kontrolloi shëndetin e banorëve.

Ndërkohë Këshilli Bashkiak Kurbin ka miratuar pagesën e plotë të bonusit të qirasë mujore për familjet, banesat e të cilave janë dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor .

“Ishim në Malbardhë, është një fshat që në fakt dallohet për cilësitë e bashkëjetesës në komunitet me religjion mysliman, por dhe një pakicë katolikësh që është një shembull i mirë në fakt, jo vetëm për qarkun Lezhë, por për të gjithë Shqipërinë. I goditur rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Erdhëm bashkë me kryetaren dhe ekipin e emergjencave për të parë situatën e familjeve në çadra. Faleminderit shumë edhe ekipit italian, i cili e përdori këtë moment për të vizituar disa prej fëmijëve që jetojnë në çadra. Ka qenë një ndihmë e përditshme e organizuar nga bashkia dhe kryetarja për sistemimin e tyre në mënyrë që të shpëtojmë nga rreziku i shtëpive që janë dëmtuar rëndë duke i sistemuar në çadra, por njëherësh edhe me ndihma”, tha Nikolla.

Ndërsa kryebashkiakja Cara theksoi se, “kemi shpërndarë 13 çadra në këto 13 familje dhe sot po bëjmë ndryshimin e çadrave nga ato që ishin më përpara në çadrat dimërore. Jemi çdo ditë në terren për të mbështetur familjet e dëmtuara nga tërmeti i datës 26. E rëndësishme është dhe vendimi i këshillit bashkiak Kurbin që u mor dje për t’u dhënë bonusin e qirave të gjithë familjeve të prekura nga tërmeti. Ndaj jemi në hapat e verifikimit dhe të listave që familjet të aplikojnë pranë bashkisë Kurbin me dokumentacionin e duhur dhe t’i ofrojmë bonusin e qirasë për një vit deri në momentin e ndërtimit të shtëpive të tyre”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.