Bonus qiraje për një vit/ Nënkryetari i bashkisë së Durrësit për ATSH-në: Përfitojnë 1310 familje të dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/- Nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, deklaroi sot se 1310 familje nga qyteti bregdetar, shtëpitë e të cilave janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit përfitojnë nga bonusi i qerasë.

Në një prononcim për ATSH-në, Tahiri theksoi se “dje pasdite u mblodh Këshilli Bashkiak i Durrësit. Pas listës së parë me 660 familje, të cilat përfitonin nga bonusi i qirasë ne bëmë një rishikim, ndryshim dhe disa shtesa të kësaj liste ku në total në bashkinë e Durrësit janë 1310 familje, të cilat përfitojnë nga bonusi i qirasë”.

“Kjo nuk do të thotë se kanë përfunduar, aplikimet vazhdojnë dhe ne kemi bërë një parashikim diku tek 2 mijë familje, të cilat kanë nevojë për strehim dhe bonusin e qirasë.
Familjarët kanë sjellë dokumentacionin është bërë mënyra më e shpejtë e mundshme, mjafton vërtetimi i banimit që shtëpinë e keni të pabanueshme që merret tek njësia administrative së bashku me një kartë identiteti vijnë në bashki dhe pastaj faza tjetër është që qytetari sjell kontratën e qerasë që e lidh tek noteri dhe llogarinë bankare ku do ti kalojë lekët. Për momentin është akoma draft nuk është e mirëpërcaktuar, por flasim për tre nivele në varësi të numrit të personave që ka çdo familje ne certifikatë familjare, sipërfaqes dhe zonës së qytetit, flitet per 200, 250 dhe 300 mijë lekë të vjetra në varësi të elementëve që sapo përmenda”, – nënvizoi Tahiri.

Nënkryetari i bashkisë së Durrësit u shpreh se “shpërndarja nuk ka filluar ende sepse mbrëmë kaloi në Këshillin Bashkiak, do kalojë të miratohet nga Prefektura, më pas shkon në qeveri, vjen fondi dhe pastaj fillon shpërndarja e parave”.

“Sa ta strukturohet si çështje është e garantuar që në bazë të vendimit të Këshillit të mnistrave dhe atë që ka thënë kryeministri Rama bonusi i qirasë dhe kompensimi per qytetarët do të jenë minimumi për një vit”,- tha Tahiri për ATSH-në./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.