VIDEO-Sipërmarrësi hotelier pranë Shkëmbit të Kavajës për ATSH-në: Kemi marrë prenotimet e para nga turistë të huaj

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Bizneset e hotelerisë në Durrës po i rikthehen aktivitetit pas tërmetit, duke nisur prenotimet për sezonin e verës, në një përpjekje për t’iu kthyer jetës dhe punës normale.

Elton Shenaj, menaxher i një hoteli te Shkëmbi i Kavajës, u shpreh për mikrofonin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se, ashtu si edhe bizneset e tjera këtu në Durrës, edhe hoteli i tij, ka pasur dëmtime të vogla nga tërmeti, por që me kohë po punon t’i rikuperojë plotësisht.

“Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur në Durrës, që është një fatkeqësi natyrore që mund të ndodhë kudo në botë, ne po mundohemi që t’i rikthehemi ritmit të jetës dhe kemi nisur këto ditë të marrim prenotimet e para për sezonin veror 2020, dhe ky fakt na jep shpresë që të vazhdojmë punën tonë normalisht”, – thotë Shenaj për ATSH-në.

Ai na tregon se, në hotelin e tij ka pasur rezervime për periudha të shkurtra deri në 15 ditë kryesisht nga turistët e huaj dhe, siç shprehet Shenaj, ky është një fakt i shumë i rëndësishëm. Sipërmarrësi i hotelerisë u bën apel shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova që duhet të preferojnë Durrësin për pushimet e tyre. “Kjo, pasi Durrësi është potenciali kryesor i turizmit në Shqipëri dhe me ndihmën nga të gjithë ju, Durrësi do të vijojë të jetë i pari qytet turistik”, tha ai për ATSH-në.

Shenaj tregoi se, pas interesimit për shëndetin e punëtorëve dhe të familjeve të tyre nga pasojat e tërmetit, i ka lënë këtë periudhë që të qetësohen, ndërsa kompania vijon rregullisht t’u paguajë punëtorëve siguracionet e tyre, dhe të gjitha detyrimet e biznesit, “sepse kjo ishte një fatkeqësi që duhet ta përballojmë dhe t’i kthehemi normalitetit”, – thotë ai. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.