Tërmeti i 26 nëntorit, Shalsi: Është për t’u admiruar heroizmi i shumë qytetarëve

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi tha sot se tërmeti i 26 nëntorit, megjithëse një ngjarje të cilën askush nuk mund ta ndalojë, duhet të na shërbejë edhe si moment reflektimi mbi atë që duhet të bëjmë më mirë në të ardhmen.

Shalsi ishte i pranishëm në panelin e organizuar nga OSHEE, mbi aksesin e sipërmarrjeve në rrjetin e energjisë elektrike në kushtet e një tregu të liberalizuar

Fatkeqësi të tilla natyrore vendosin në provë vende të ndryshme në kohëra të ndryshme, por mënyra si i përgjigjesh, tha ai, tregon se në çfarë niveli zhvillimi është ai vend.

Pas tronditjeve të tilla të thella, vijoi ai, vendet kanë dalë edhe më të forta.

“Kemi parë akte heroizmi përgjatë atyre ditëve te mënyra se si kanë reaguar. Është për tu admiruar heroizmi i shumë qytetarëve. Nuk e dinim që kishim një hero në krahun tonë. Nuk do ta harroj kurrë një zotëri që punonte taksixhi, i cili ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme. Tregoi se ishte një hero i vërtetë“, – tha ministri Shalsi.

Sipas tij, janë pikërisht këto ndjenja të sakrificës, pjesë, mbi të cilën ne do të ngremë atë ngrehinë që nesër të përballojmë ngjarje të tilla./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.