GJERMANI – Berlini kërkon vendosjen e taksës europiane mbi transaksionet financiare

BERLIN, 10 dhjetor /ATSH-AFP/ – Një projekt i ri lidhur me taksën europiane mbi transaksionet financiare  (TTF) iu dërgua nëntë kryeqyteteve nga qeveria gjermane, që shpreson për një vendim të shpejtë për këtë çështje, të lënë pezull për vite me radhë.

“Ministri i Financave,  Olaf Scholz bëri një propozim final për taksimin në masën 0,2% të blerjeve të aksioneve të kompanive, kapitalizimi i të cilave tejkalon një miliardë euro”, theksoi sot ministria.

Dhjetë vende si Gjermania,  Franca, Belgjika, Italia, Spanja, Portugalia, Greqia, Austria, Sllovakia, Sllovenia kanë qenë pjesë e një bashkëpunimi të ngushtë për këtë çështje dhe kanë diskutuar për vite me radhë, por projekti ka mbetur i bllokuar.

“Për herë të parë që prej vitit 2011, jemi në një qëndrim që na lejon të arrijmë një marrëveshje në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë”, konfirmoi Scholz në një letër dërguar homologëve të tij.

Ai shpreson që procedura legjislative europiane do të finalizohet së shpejti.

Taksa e propozuar nga Berlini nuk përfshin detyrimet dhe produktet financiare. Dhe një numër operacionesh mund të përjashtohen, veçanërisht hyrjet në Bursë apo fondet e pensioneve./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.