Fiskalizimi/ Haxhi: Kostoja e mirëmbajtjes bashkë me certifikatën elektronike llogaritet 7-9 euro

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi deklaroi sot se kostot e vetme të cilat janë të lidhura me sistemin e fiskalizimit, janë ato të mirëmbajtjes, së bashku me certifikatën elektronike, e cila është risi.

Në një prononcim për mediet, Haxhi tha se kjo kosto varion 7-9 euro në muaj.

“Kemi qenë në konsultim intensiv me kompanitë e kasave dhe operatorë të rinj që kanë shfaqur interes të jenë pjesë e këtij ndryshimi në fiskalizim. Gjithë ndryshimi ligjor ka konsistuar në hapjen e tregut për më shumë operatorë dhe liberalizmin e përdorimit të një hardware të caktuar. Jo detyrimisht duhet përdorur një pajisje e caktuar fiskale. Mund të jetë çdo pajisje elektronike e cila mund të instalojë një software fiskal e mund të transmetojë me transmetim 3 G, apo edhe me kabëll”, – tha Haxhi.

Mundësitë janë të pafundme dhe natyrshëm e logjikshëm, vijoi Haxhi, do të sjellë ulje të kostove e konkurrencë në treg.

“Ne në projektligj kemi propozuar se nuk na duhet një memorie fiskale e detyrueshme,  por e thjeshtë dhe kjo do të bëjë uljen e kostos në krahasim me memorien fiskale që është aktualisht”, – deklaroi Haxhi./a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.