Xhafaj: Rikonstruksion i Spitalit të Laçit, nuk është për t’u shembur

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Godina e spitalit të Laçit ka pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, duke bërë që të vendoset shiriti i kuq, që tregon se objekti përbën rrezikshmëri dhe brenda tij nuk mund të qëndrojnë stafi apo pacientët.

Etjen Xhafaj, përfaqësues i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile për Qarkun Lezhë, deklaroi se “kemi evakuuar shumicën e shërbimeve të spitalit e Laçit dhe pjesa më e madhe e personelit dhe të pacientëve janë transferuar në Spitalin e Lezhës gjatë ditës së djeshme”.

“Po ngrihen dy tenda mjekësore. Kemi marrë disa nga godinat që po i përdorim në afërsi të spitalit të Laçit. Për të pasur mundësi të kemi një shërbim urgjence që të jetë në afërsi të qytetit të Laçit, pastaj rastet e nevojshme do të lëvizen drejt Lezhës”, tha ai.

“Sot kemi një ambulancë, që është duke kryer kontrolle në të gjithë banorët që ndodhen në çadra”, theksoi më tej Xhafaj.

“Godina është nxjerrë për t’u evakuuar deri në një rikonstruksion të pjesshëm apo ndërhyrje në muraturë, apo pjesë të tjera, pra nuk është për t’u shembur. Më e rëndësishme është të ketë siguri për njerëzit, pacientët dhe stafin mjekësor të spitalit të Laçit”, shprehet Xhafaj.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.