Shkreli: Janë marrë të gjitha provat për godinat e shembura

TIRANE, 9 dhjetor/ATSH-Gjergji Mima/- Zv/Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli deklaroi sot se për godinat e shembura janë marrë të gjitha provat.

“Prokuroria këtë moment, ashtu sikundër menjëherë pas kalimit të fazës së parë të traumës filloi të interesohet për marrjen e provave sidomos në objektet ku pati viktima. Domethënë u ndalua shkatërrimi i pjesës ekzistuese të objekteve pasi u nxorën viktimat”, tha Shkreli gjatë një emisioni televiziv.

Shkreli tha se, objektet e tjera u shkatërruan pasi u morën provat.

‘Tek objektet me viktima po e po, por dhe më vonë dhe tek këto në vazhdim çdo objekt që shpallet që do të shkatërrohet , Instituti i Ndërtimit është i detyruar në prani të oficerit gjyqësor të marrë prova nga elementët konstruktiv, themele, kolona, trarët, se kur ka element konstruktivë sic janë diafragmat apo kullat e ashensorëve edhe prej tyre merren”, tha Shkreli.

Ai theksoi se si prova, “merren kampione të betonit, merren kampione të seksioneve të kolonave sesi janë vënë hekurat aty, të cila më vonë do të kontrollohen me projektin nëse janë bërë në funskion të projektit apo janë ndryshuar nga projekti. Kjo do të nxerrë ëprgjegjësinë nëse është e projektuesit apo e zbatuesit”.

Shkreli tha se, “edhe tek ato godina që projektet nuk gjenden provat merren njësoj dhe do shihet nëse kompania që i ka bërë, pavarësisht se nuk gjendet projekti se mund të jetë pa leje, nuk ka zbatuar kushtet teknike. Se ka dhe objekte pa leje që i zbatojnë kushtet teknike, sikurse dhe ka objekte me leje që nuk i zbatojnë kushtet teknike”.

“Kompania nuk është fantazëm, banorët e dinë kush e ka bërë. Do pyetet administratori lokal, në rastin kur është bërë me kompani të ndryshme. Ndërtimet pa leje shprehin mënyrën e tranzicionit që ka bërë Shqipëria, si në politikë ashtu dhe në infrastructure”, theksoi Shkreli.

Ai gjithashtu theksoi se për ҫdo godinë që shembet me shpërthim të kontrolluar ka një dosje të përgatitur me të gjithë provat.

I pyetur për formularët e grupeve të inspektimit, Shkreli tha se, “kanë qenë dy formularë që ndryshonin nga forma, por jo nga përmbajtja. Për këtë u vendos me ndihmën e një njësie të UNDP të OKB të bëhet një formular që të njihet ndërkombëtarisht dhe ky formular është hedhur në qarkullim dje. Sot janë bërë të gjithë konstatimet me I Pad”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.