Rinisja e mësimit në zonat e prekura nga tërmeti, angazhim maksimal i shërbimit psiko-social

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/  Sot në shumicën e shkollave të tre qarqeve të prekura më tepër nga tërmeti i 26 nëntorit, Tiranë, Durrës dhe Lezhë ka rinisur procesi mësimor me një angazhim të plotë të psikologëve, mësuesve, oficerëve të sigurisë, stafeve pedagogjike dhe prindërve.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, thekson përmes një njoftimi për shtyp se në këtë ditë të parë janë duke u organizuar biseda, aktivitete dhe veprimtari në funksion të të gjithë nxënësve dhe veçanërisht të atyre që kanë pasur pasoja nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Gjatë realizimit të këtyre veprimtarive në institucionet arsimore, po trajtohen edhe modulet dhe planet e veprimit të hartuara dhe detajuara që u janë dërguar shkollave nga njësitë e shërbimit psiko – social.”, shpjegon ministria.

Shërbimi psiko – social, me mbi 340 punonjës në terren, është duke asistuar të gjitha shkollat në Republikën e Shqipërisë, ndërsa më parë kanë zhvilluar edhe një seri trajnimesh nga pedagogë të Fakultetit të Shkencave Sociale, UT.

“Në këtë ditë të rikthimit të procesit mësimor po punohet me udhëzimin për ndihmën e parë psikologjike për fëmijët, sipas grup moshave të ndryshme/asistencë gjithashtu për mësues. Orë më relaksuese dhe zbavitëse për nxënësit, evidentimin e rasteve konkrete nëpër shkolla, si dhe raportimin online në fund të ditës, etj”, – thuhet në njoftim./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.