Qendra sociale “Gonxhe Bojaxhi” strehon 107 banorë të prekur nga tërmeti, Manastirliu: Sigurojmë të gjitha barnat për të sëmurët

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi sot qendrën sociale “Gonxhe Bojaxhi”, në periferi të Tiranës, ku janë të strehuar aktualisht 107 banorë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Manastirliu vuri në dukje se për banorët e strehuar në këtë qendër, por edhe në të gjitha qendrat e tjera janë vënë në dispozicion ekipe mjekësh specialistë.

Kujdesi shëndetësor, theksoi ajo, do të ofrohet deri në momentin që të bëhet e mundur sistemimi në banesa i të gjithë banorëve.

“Ne kemi ngritur një sistem, i cili monitoron të gjitha paketat e shërbimeve që ofrojmë, që lidhen jo vetëm me vaksinimet periodike, por edhe vaksinat kundër gripit”, theksoi ministrja.

Sipas saj, janë vaksinuar më shumë se 1300 qytetarë kryesisht ata të kategorisë që konsiderohen si më të riskuarat që janë të moshuarit, fëmijët 2-5 vjeç dhe gratë shtatzëna.

Për çdo të sëmurë, siguroi ajo, do të sigurohen barna shtesë, përveç atyre që përfshihen në paketën e rimbursimit.

Doktoresha Najada Çomo, e cila vizitoi banorët në këtë qendër informoi ministren se janë vaksinuar 60 banorë dhe po u ofrohet shërbim i specializuar rreth 30 banorëve të sëmurë kronikë.

Ministrja Manastirliu theksoi më tej se “në të gjitha qendrat ku janë akomoduar banorët po sigurojmë pikërisht shëndetësimin e zonës, duke kaluar në të gjithë elementët”.

Sipas saj, Inspektorati Shëndetësor është duke punuar për verifikimin e kushteve higjieno-sanitare.

Ministrja u shprehu mirënjohjen mjekëve dhe infermierëve të qendrës shëndetësore nr. 10 dhe ekipit të spitalit infektiv në QSUT që po vlerësojnë çdo banor, për të ruajtur shëndetin e tyre.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.