Bashkia e Tiranës miraton listën e tretë të bonusit të qirasë për 266 familje të prekura nga tërmeti

TIRANE, 9 dhjetor/ATSH/- Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi mbrëmjen e sotme listën e tretë të bonusit të qirasë për 266 familje të tjera, shtëpitë e të cilave janë bërë të pabanueshme për shkak të tërmetit, duke e çuar në total në afro 1200 qira.

Pas përgatitjes së dosjeve në kohë rekord, Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur kalimin e listës së familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, që kanë aplikuar për bonus qiraje me kushtet e tregut. Masa e bonusit të qirasë është përcaktuar në bazë të njësive të banimit dhe të gjitha këtyre familjeve shuma e akorduar do t’u kalojë në llogaritë e tyre bankare ose mund ta tërheqin përmes postës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi në mënyrë të veçantë strukturat që kanë mundësuar në një kohë shumë të shpejtë të përgatisin dosjet dhe t’u vijnë qytetarëve në ndihmë me bonusin e qirasë. “Ndërkohë dua t’ju informoj që ka qenë një histori suksesi historia e sistemimit të qirave. Edhe mënyra e lehtësimit, ku vetëm me kartë identiteti tek sporteli, më është fiksuar sporteli 12 te Posta, merr pagesën me para në dorë, ekzaktësisht për sa dhoma e kuzhinë ke pasur”, tha Veliaj.

Gjatë kësaj mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimet për shembjen e disa godinave në Universitetin Bujqësor të Kamzës, të cilat për shkak të amortizimit dhe tërmetit janë kthyer në një rrezik për jetën e familjeve dhe studentëve që strehohen to. Bëhet fjalë për 8 godina që janë zënë nga familjarë gjatë viteve të tranzicionit, duke pësuar edhe ndërhyrje që e kanë dëmtuar në strukturë, si dhe dy godina të tjera ku strehohen studentë. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme nga Këshilli Bashkiak i cili vendosi shembjen e tyre, pasi paraqiten ndërtesa të paqëndrueshme.  Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se ashtu sikurse familjet që janë të strehuara aktualisht në këto 8 godina, do të marrin bonus qiraje nga Bashkia e Tiranës.

“Bëhet fjalë për godina të superamortizuara, të ndërtuara nga vetë studentët, me punë vullnetare. Pra dikush vinte për Inxhinieri, ose për Letërsi, apo në rastin atje, vinte për Hortikultorë apo Veterinari, dhe ndërtonte vetë edhe konviktin. Në Institut Bujqësor të dhjeta janë të amortizuara, nuk ka nevojë të marrim rrezik fare. Për familjarët në 8 godina do trajtohen me bonusin e qirasë”, tha Veliaj.

Ndërkohë, për dy konviktet studentore ai bëri të ditur do të bëhet rimbursimi plotë, duke qenë se as ato nuk ofrojnë garanci dhe siguri në godinat ekzistuese. Ai siguroi se studentët që jetojnë këtu do të kompensohen. “Për dy konviktet studentore kam dhënë porosi që të bëhet i plotë rimbursimi, duke qenë se nuk ofrojmë këtë garanci dhe këtë siguri në godinat ekzistuese”, deklaroi Veliaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.