Histori frymëzuese vullnetarizmi/ 2 gra ndihmojnë fëmijët me aftësi të kufizuar, të prekur nga tërmeti në Durrës

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Situata e krijuar prej tërmetit të 26 nëntorit, ka solidarizuar mjaft qytetarë, të cilët po u vijnë në ndihmë vullnetarisht fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Bardha Delia është qytetare e Tiranës, e cila që prej datës 26 vendosi të ndihmojë fëmijët me aftësi të kufizuar. Ajo vetë, është nënë e një fëmije me aftësi të kufizuar, prandaj edhe ka zgjedhur të qëndrojë pranë tyre si mbështetje psikologjike.

“Unë jam qytetare e Tiranës. Që ditën e parë që ndodhi tërmeti ndjeva se doja të isha pjesë e vullnetarizmit, sidomos për rastet e fëmijëve me nevoja të veçanta. Do të doja me gjithë shpirt që të jepja kontributin tim, sadopak, në çfarëdolloj mënyre të ishte e mundur. Menduam që të ishim në Durrës, për faktin se ishte zona më e nxehtë, më afër tërmetit dhe që nga data 27 jemi këtu, ditë pas dite, sa herë gjejmë kohën e mundshme për të qenë pranë ekipeve”, – rrëfeu ajo për ATSH-në.

“Për hir të së vërtetës, jam prind i një fëmijë me autizëm 8 vjeç dhe që ditën e parë që ndodhi tërmeti, mendova ‘po sikur të isha unë një nga rastet e prekura nga tërmeti dhe si mund t’i ofrohej ndihma fëmijës tim’. Për hir të kësaj, isha shumë e gatshme dhe e ndiej që këtë kontribut dhe këtë sensibilizim qytetar ta japin të gjithë, duke u dhënë njerëzve dëshirën dhe mendimin që jeta vazhdon. Duhet të ngrihemi në këmbë sa më shpejt, pavarësisht katastrofave, situatave të ndryshme. Rëndësi ka që njeriu të hapë zemrën sa më pranë njerëzve që kanë nevojë. Unë jam nënë me 6 fëmijë. Jetoj në Tiranë prej 22 vitesh. Jeta është sa e vështirë, po aq edhe e bukur, por duke qenë gjithmonë e pranishme”, – u shpreh ajo.

Nga ana e saj, Violeta Gjoni është mësuese e arsimit special. Edhe ajo prej ditësh po jep kontributin e saj vullnetar, në ndihmë të fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Jam nënë e katër fëmijë dhe në arsim jam mësuese e arsimit special. Edhe unë jam nënë e një fëmije me aftësi të kufizuar. Atë natë kur ra tërmeti, nga gjithë ajo frikë po bëja ta thërrisja vajzën time, është 23 vjeç, ka probleme fizike dhe s’po ngrihej”, – tregoi ajo për ATSH-në.

“Në mëngjes kur pamë lajmet, pamë tmerr. U mendova dhe telefonova miken time për t’i thënë që të nisemi për Durrës. Kemi bërë edhe lidhjen me qendrat sociale në Tiranë, me 127″, – u shpreh ajo. z.tosku./j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.