Hetimet për objektet e shembura/ Kryeprokurori Çela në Durrës: Përgjegjësia të shkojë atje ku është, qofshin zyrtarë apo ndërtues

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ -Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ishte sot në Durrës ku ka kërkuar rezultate pas hetimeve për tërmetin e 26 nëntorit.

Një ditë pas marrjes së detyrës, Çela e ka nisur nga Prokuroria e Durrësit, qytet që është dëmtuar më shumë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeprokurori Çela ka folur jashtë ambienteve të Prokurorisë së Durrësit për hetimet mbi ndërtesat e shembura në Durrës pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Çela tha se përgjegjësia për këtë duhet të shkojë atje ku është, qofshin zyrtarë apo ndërtues, ndërsa shtoi se nga hetimi do të dalin edhe probleme me legjislacionin.

“Qëllimi i vizitës lidhet me situatën e krijuar pas tërmeteve. Prokuroria është duke kryer hetime në bazë të ngjarjeve të ndodhura. Është krijuar një grup hetimor për çështjen në fjalë. Ideja ishte ofrimi i mbështetjes maksimale që ne si Prokuroria e Përgjithshme mund t’i ofrojmë Prokurorisë së Durrësit për rastin në fjalë me qëllim rritjen e koordinimit për të siguruar një hetim të shpejt, efiçent dhe për t’i dhënë një përgjigje sa më të shpejtë rasteve për të cilat të gjithë jemi të njohur. Mendoj se situate është pak a shumë e qartë. Puna që është bërë ka qenë mjaft e mirë. jam shumë i kënaqur me atë që dëgjova. Prokurorët janë të motivuar dhe mendoj se shumë shpejt rezultatet do të jenë të prekshme”.

“Ajo që vlerësoj dhe besoj se është e rëndësishme, për të cilën të gjithë jemi koshientë se çfarë ka ndodhur është se individë të papërgjegjshme kanë kryer veprime të caktuara me koshiencë të plotë. Kanë shkelur ligjin dhe pasoja është vdekja e shumë personave. Në këtë kuadër besoj se dhe reagimi i Prokurorisë, zbatimi i ligjit do të jetë korrekt, do të jetë I prerë dhe në fund do të kemi rezultate të qarta për hetimin”, theksoi ai.

I pyetur për akuzat që po manipulohen vendet e hetimit, Çela tha se “Hetimi është përqendruar në objektin e hetimit. Ne nuk kemi të dhëna të tilla. Të paktën dhe nga drejtuesja e prokurorisë dhe nga prokurorët nuk kemi pasur shqetësime të tilla. Duhet të jemi të qetë dhe të besojmë të heqim dorë nga lajmet e pavërteta”.

Çela evidentoi se “nga hetimi po dalin probleme edhe me legjislacionin në fuqi. Hetimi do shërbejë edhe për të propozuar ndryshime të rëndësishme në ligj në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më duke rritur sigurinë e qytetarëve në mënyrë”.

I pyetur nëse do ketë arrestime, për këto ngjarje, Cela tha se, “këto janë vendime të cilat i marrin prokurorët, të cilët janë të pavarur në vendimmarrjen e tyre. Por ka njerëz të cilët kanë shkelur ligjin, ka njerëz që kanë humbur jetë, ka njerëz që janë plagosur dhe patjetër përgjegjësia që do mbahet do të jetë maksimale”.

“Përgjegjësia do shkojë atje ku është qoftë tek ndërtuesit, qoftë tek zyrtarët. Kudo ku prokurorët do verifikojnë, do mbledhin prova se ka elemente të përgjegjësisë penale nuk do të ketë hezitim për asnjë rast’, tha ai.

“Ajo që unë si prokuror i përgjithshëm mund t’ju them është se nga ana jonë i është garantuar prokurorëve, mbështetja e plotë. Ata duhet  të jenë plotësisht të bindur se ata janë në harmoni me me atë që ne si Prokurori e Përgjithshme presim nga ata, pra në kuptim me zbatimin e ligjit. Ata janë të pavarur. Ne do të garantojmë pavarësinë e tyre dhe besojmë se në këtë klimë do të kemi rezultatet që të gjithë presim “, tha Çela.

Prokuroria ka nisur hetimet pas tërmetit, në Durrës, Tiranë dhe Thumanë. Sipas njoftimeve zyrtare, pjesë e hetimeve të cilat kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim Detyre”, “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”, janë lejet e ndërtimit të lëshuara nga autoritetet vendore, zbatimi i tyre nga ndërtuesit, si dhe rastet e ndërtimeve abuzive dhe mungesa e ndërhyrjes së autoriteteve përgjegjëse. /gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.