FOTO/ Kujdes psikosocial për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Ekipet e Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Shërbimit Social po vijojnë punën e tyre duke ofruar kujdesin e duhur psikosocial për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti, kudo ku janë strehuar.

1669 fëmijë po marrin kujdesin e duhur psikosocial në hotele dhe pikat e emergjencës, me shpresën për të lënë pas sa më parë pasojat e tërmetit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehet se, “vijojmë të jemi në terren bashkë me ekipet tona të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Shërbimit Social për të koordinuar punën me organizatat partnere dhe vullnetarët, duke siguruar që secili prej 1669 fëmijëve që ndodhen në kampet e emergjencës apo vendstrehimet e përkohshme, të marrin kujdesin e duhur psikosocial, për të lënë pas sa më parë pasojat e tërmetit”.

Nën koordinimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Shërbimit Social, me mbështetjen e organizatave partnere, më shumë se 300 psikologë, punonjës socialë dhe vullnetarë, u janë bashkuar për t’u kthyer buzëqeshjen fëmijëve, duke ofruar shërbime psikosociale për çdo fëmijë, kudo ku janë strehuar familjet e mbetura pa strehë nga tërmeti. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.