FOTO/ Ambasadori Ding ndihma për banorët e prekur nga tërmeti: Mbështetje për rindërtimin e Shqipërisë

TIRANE, 7 dhjetor/ATSH/- Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, Zhou Ding dhuroi disa ndihma për banorët e pastrehë, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, në Njësinë Administrative, Farkë.

Në fjalën e tij, ambasadori Ding tha se “Qeveria dhe populli kinez po ndjekin me vëmendje të madhe tërmetin që ndodhi në Shqipëri dhe po kujdeset shumë për popullin mik shqiptar. Presidenti i Kinës Z. Xi Jinping i ka dërguar një mesazh Presidentit të Shqipërisë,Ilir Meta, për të shprehur ngushëllimet për viktimat dhe solidaritetin me popullin shqiptar. Jemi të bindur se populli shqiptar do të kalojë vështirësitë duke ndërtuar sa më shpejt shtëpitë e tyre”.

Ai tha se “Qeveria kineze ofroi ndihmë emergjente humanitare nëpërmjet Kryqit të Kuq. Disa kompani kineze në Shqipëri u mobilizuan për të dhënë ndihmë financiare dhe materiale. Të gjitha këto dëshmojnë ndjenjat e thella të popullit kinez ndaj popullit shqiptar”.

“Materialet që kam sjellë, janë përgatitur nga diplomatët e Ambasadës kineze me dashamirësi për të prekurit e Njësisë Administrative, Farkë. Shpresoj që miqtë tanë shqiptarë mund të kuptojnë se janë shumë njerëz në botë që po kujdesen për ta. Gjithashtu shpresoj që populli shqiptar do të përballojë vështirësitë me forcë dhe kurajo duke jetuar me shpresë”, u shpreh më tej Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës.

Duke pohuar se përballimi i fatkeqësisë dhe rindërtimi pas tërmetit kërkon kohë, ambasadori Ding tha se “duke u bazuar në miqësinë tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë, ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht me dikastere të ndryshme shqiptare për të ofruar vazhdimisht mbështetje dhe ndihmë për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.