Basha takon familjet tek ish-magazinat në Shkozet: Të nisë sa më parë riparimi i banesave

TIRANE, 7 dhjetor/ATSH/- Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka vizituar sot disa familje në Shkozet të Durrësit, që sipas tij, “askush nuk është kujtuar as për t’u sjellë një batanije në këtë të ftohtë, aq më pak për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti”.

Basha shprehet se në Shkozet, familje që jetojnë me qera, të papunë dhe me fëmijë te sëmurë, vazhdojnë të flenë jashtë.

“Këto familje janë zhvendosur në banesa të improvizuara në objekte që më parë kanë qenë magazina të ndërtuara pa cilësi në vitet ‘70. Duhet një ndërhyrje e menjëhershme për t’u ardhur në ndihmë këtyre banorëve”, shprehet Basha.

“Nuk mundet që 150 milion dollarë të taksave të shqiptarëve të shkojnë për 10 oligarkë dhe qytetarët të lihen në mëshirë të fatit. Duhet të nisë sa më parë riparimi i banesave dhe prandaj duhet përfunduar vlerësimi i shpejtë, i drejtë dhe profesional i dëmeve të shkaktuara”, deklaron kreu i PD.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.