Veliaj falënderon forcat zjarrfikëse për punën në përballimin e situatës pas tërmetit

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Zjarrfikësit janë padyshim heronjtë e përballimit të situatës së vështirë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Pavarësisht se mes tyre kishte edhe nga ata që humbën të afërmit e tyre në Thumanë, qëndruan në krye të detyrës për të shpëtuar çdo jetë nga rrënojat.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shprehu falenderimet e tij të gjithë trupës së zjarrfikëseve të kryeqytetit, të cilët rrezikuan jetën e tyre për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve në këto ditë të vështira.

“Ju jeni heronjtë e vërtetë të këtij qyteti! Na keni ndihmuar edhe në disa nga zonat më të prekura nga tërmeti, siç ishte Durrësi dhe Thumana”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi faktin se kontributi i tyre ishte dyfish i vlefshëm, pasi nuk i shërbyen vetëm qytetarëve të Tiranës, por edhe atyre në zonat më të prekura nga tërmeti, siç ishte Thumana dhe Durrësi.

Por, ndonëse duhet të ishin në krye të detyrës, aty ku dhjetëra jetë prisnin ndihmë për të shpëtuar nga rrënojat, kishte nga ata zjarrfikës heronj, që në këtë tragjedi kishin humbur familjarët e tyre.

Kryebashkiaku Veliaj i shprehu ngushëllimet efektivit të zjarrfikësve, Arben Cara, për humbjen e të afërmeve të tij në Thumanë dhe theksoi se “Tirana mbetet një derë e hapur për pritjen e të gjitha familjeve që kanë mbetur pa strehë në Thumanë dhe Durrës”.

E ndërsa më e keqja ka kaluar dhe aktiviteti sizmik po shkon drejt shuarjes së plotë, Veliaj theksoi se për trupat e zjarrfikëseve të Tiranës ka ende punë, për të shmangur çdo rrezik që mund t’i kanoset qytetarëve.

“Ju që jeni profesionistë, e dini që nuk ka mbaruar, e dini që ka ende tulla për t’u hequr, oxhaqe për t’u çmontuar e parapeta për t’u kujdesur. Pra, ka ende vende të rrezikshme. Në fakt, i vetmi fatalitet që patëm në Tiranë ishte nga një parapetë që u shemb nga tarraca e një pallati. Sa kohë që kemi ende pallate, ku kërkohet të çmontohet oxhaku, të largohet parapeta, të ulet një parvaz, apo të hiqet edhe tulla e fundit, misioni ynë nuk ka mbaruar”, tha ai.

Sipas Veliajt, bashkia e Tiranës dhe në mënyrë të veçantë forcat zjarrfikëse të qytetit do të jenë në gatishmëri të plotë deri në festat e fundvitit. Ai shtoi se ky duhet të jetë një moment ku e gjithë shoqëria jonë të reflektojë dhe të bëhet më e mirë dhe më solidare.

Kryebashkiaku bëri të ditur se do të vijojë edhe shembja e tri godinave të amortizuara në Qytetin Studenti, të cilat për shkak të tërmetit janë kthyer në rrezik për jetën e banorëve në atë zonë. Ndërsa, sa i përket strehimit të banorëve që i kishin zaptuar ato, ai tha se ata do të trajtohen njësoj si qytetarët e tjerë të prekur nga tërmeti./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.