Tërmeti i 26 nëntorit/ Rreth 80 specialistë të Kadastrës inspektime në zonat e goditura

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Punonjësit e Kadastrës Shqiptare këto ditë janë vënë tërësisht në dispozicion të bashkive të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, në Durrës, Tiranë, Krujë e FushKrujë, në Ishëm e Kavajë, në Kamëz e Vorë.

Për të ndihmuar edhe më shumë, në zonat e dëmtuara janë atashuar edhe grupe specialistësh nga drejtoritë rajonale të Lushnjes, Elbasanit dhe Fierit.

Janë rreth 80 specialistë të Kadastrës, inxhinierë, arkitektë, topografë e gjeodetë, që në grupe të vogla dhe të shoqëruar me përfaqësues të bashkive dhe Institutit të Ndërtimit, po inspektojnë një për një godinat në zonat e goditura.

Deri tani këto grupe kanë vizituar rreth 1600 objekte, banesa, objekte social ekonomike, industriale, objekte publike shkolla etj, prej të cilave rezulton se me problematika të ndryshme janë rreth 12% e objekteve.

Kadastra theskon se “nesër do të bëjmë të ditur për publikun një analizë të detajuar të objekteve të verifikuara deri tani. Për specialistët e rinj, pamja e këtyre ditëve është edhe një eksperiencë e trishtë për punën e tyre në të ardhmen, ndërsa për ne të gjithë duhet të kthehet në një pikë kthese në mënyrën se si e trajtojmë zemërimin e natyrës”.

“Një falënderim personal për të gjithë këta punonjës që vijojnë të lëvizin rrugicave deri në orët e mbrëmjes dhe pastaj kalojnë edhe disa orë të tjera duke hedhur në sistemin e përqendruar informacionin ditor”-, shprehet Kadastra Shqiptare./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.