Programi i rindërtimit nis zbatimin nga 1 janari/ Ahmetaj: Nuk do të cenohet asnjë shërbim për qytetarët

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, njëkohësisht edhe kreu i Komisionit të Menaxhimit të Fondeve për ndihmat, Arben Ahmetaj deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit se Programi i rindërtimit që do të nis zbatimin nga 1 janari nuk do të cenojë parametrat e buxhetit të vitit 2020.

Duke e konsideruar si tragjike humbjen e jetëve, dëmtimin e pronave e shkatërrimin e pasurive të paluajtshme, por edhe traumën psikologjike të shkaktuar, Ahmetaj tha se solidariteti ishte emocioni e detyrimi i parë që ne kemi, ndërsa tani qeveria po ndërton përgjigjen për këtë situate.

Mazhoranca, tha ai, ka vendosur t’i përgjigjet me instrumente të forta, të jashtëzakonshme në themel të të cilave kemi vendosur moton “ne nuk lëmë askënd mbrapa”.

“Ne nuk do të rrisim asnjë taksë për të përballuar situatën, nuk do të prekim pagat, nuk do të prekim investimet në rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellës-kanalizime. Nuk do të cenohet asnjë shërbim për qytetarët, asnjë subvencion për shtresat në nevojë. Nuk do të rrisim borxhin publik”, deklaroi Ahmetaj.

Ahmetaj tha se të gjitha këto masa bëhen me synim ndjekjen e ritmit vjetor të rritjes ekonomike.

“Programi i qeverisë do të vijojë të ndiqet për të furnizuar ato nevoja për infrastrukturë e shërbime”, theksoi Ahmetaj.

Sipas tij, vende të pasura si Japonia, Shtetet e Bashkuara apo çdo vend europian kur kanë pasur fatkeqësi të kësaj natyre kanë kapërcyer shpenzimet me 2-3% të GDP-së.

“Ne do të qëndrojmë në nivele të kontrolluara të defiçitit”, vuri në dukje Ahmetaj.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.