Nga çadrat në apartamente me qira, faza e parë e programit të investimeve për familjet e prekura nga tërmeti

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/Përmes programit të investimeve, qeveria po punon për të mundësuar që familjet e mbetura pa strehë për shkak të tërmetit të mund të jetojnë përkohësisht me qira, pagesë kjo që do të mbulohet nga shteti.

Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e jashtëzakonshme se njerëzit nuk mund të rrinë në çadër as 12 muaj as 18 muaj, ndaj edhe do të nisë sistemimi i tyre në fazën e parë, duke kaluar nga çadrat në shtëpi.

“Programi i investimeve bën që të mos kemi thjesht një transferim të ardhurash si në rastin e financimit të blerjes së apartamenteve ekzistuese dhe apartamentet ekzistuese ne po shohim dhe po bëjmë gati të gjithë sasinë e apartamenteve që na duhen për fazën nga çadrat për në shtëpi. Pra, për të marrë me qira apartamente që njerëzit të rrinë, sepse nuk mund të rrinë në çadër as 12 muaj, as 18 muaj, ata që do të sistemohen në qytet”, – tha Rama.

Më tej, Kryeministri informoi lidhur me banorët që jetojnë në fshat se opsioni më i thjeshtë është rindërtimi i shtëpive ashtu siç janë.

“Ndërkohë që ata që do të sistemohen në fshat, natyrisht opsioni më i thjeshtë është rindërtimi i shtëpive ashtu siç janë. Opsioni më pak i thjeshtë, por më optimal do të ishte një rikonfigurim i banimit. Pra, nëse do të arrinim që të kishim një mirëkuptim me banorët që toka e tyre të vihet e gjitha në shërbim të ekonomisë së tyre rurale dhe banimi të grumbullohet si në një fshat normal në një vend normal, do të ishte më e lehtë për ne, do të ishte më e lehtë për ne të ardhmen por kjo është mbase një rrugë që atyre mund t’i duket më e komplikuar dhe nuk e di se si do të shkojë. Megjithatë, ne edhe për këtë po i marrim të gjitha masat”, – u shpreh Rama. /z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.