Denaj prezanton Aktet Normative që sigurojnë mbështetje të drejtpërdrejt të të prekurve nga fatkeqësia

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi sot në Kuvend Aktet Normative në kuadër të situatës së jashtëzakonshme të krijuar si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

“Aktet Normative kanë si qëllim sigurimin e ndihmave dhe dhënien e mbështetjes së drejtpërdrejtë të të prekurve nga fatkeqësia”, tha Denaj.

Denaj bëri të qartë se nëpërmjet këtyre akteve do të bëhet e mundur përjashtimi nga pagesa e TVSH-së e mjeteve dhe pajisjeve të cilat përdoren për të rindërtuar zonat e prekura nga fatkeqësitë.

Po ashtu, ardhjen në ndihmë familjarëve të viktimave të cilët humbën jetën gjatë tërmetit dhe kanë pësuar dëmtime në banesat e tyre duke i bërë ato të pabanueshme, dhënien e një ndihme, me karakter të përhershëm të gjithë personave që kanë humbur pjesëtarët e familjes nga fatkeqësia natyrore.

Nxënësit e studentët e familjeve të viktimave që humbën jetën nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë me 26 nëntor, do të marrin bursë mujore prej 15 mijë lekësh.

Për çdo familje të viktimave që humbën jetën nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë me 26 nëntor, përfshirë edhe dy vëllezërit Abazi nga Kosova, qeveria miratoi sot një përkrahje sociale prej 1 milionë lekësh.

Përmes këtyre akteve synohet edhe nxitja e ndihmave dhe donacioneve nga komuniteti i biznesit për të dëmtuarit nga tërmeti, duke parashikuar njohjen si shpenzime të zbritshme donacionet deri në masën 5% të fitimit para tatimit.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.