Çuçi takim me PNUD për metodologjinë e vlerësimit të dëmeve dhe programin e rimëkëmbjes

TIRANË, 5 Dhjetor/ATSH/- Drejtuesi qendror i zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, ministri fuqiplotë Bledi Çuçi zhvilloi sot një takim me përfaqësues të PNUD-it, të cilët në koordinim me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, do të punojnë për të identifikuar mbështetjen e nevojshme në këtë situatë emergjente të shkaktuar nga tërmeti shkatërrimtar i datës 26 nëntor.

Ministri e cilësoi si të rëndësishëm kontributin e tyre në metodologjinë e vlerësimit të dëmeve dhe më pas në programin e rimëkëmbjes.

“Që prej ditës së parë të fatkeqësisë, por edhe sot e në vijim, ndihma ndërkombëtare për Shqipërinë mbetet thelbësore në kapërcimin e kësaj situate. Solidariteti i jashtëzakonshëm i këtyre ditëve, brenda e jashtë vendit, nga shqiptarët dhe bota mbarë, është një shembull i fortë i vendosmërisë së përbashkët për t’u ringritur sërish pas fatkeqësisë që na tronditi thellë të gjithëve”, thekson Çuçi./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.