Rama: BE konferencë donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë, duhet patjetër të bëhet në janar

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama do të jetë sot i ftuar në emisionin “Porta a Porta” në RAIUNO, në panelin e organizuar nga gazetari Bruno Vespa, për informimin dhe sensibilizimin e publikut italian mbi pasojat e fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit.

“Tani jemi tek Bruno Vespa ku do të bëjmë një thirrje për mbështetje dhe sensibilizim, pasi na duhet mbështetja e të gjithëve. Ne do ta bëjmë tonën, nuk do presim thjesht çfarë do të bëjnë të tjerët, këto janë gjëra që kalohen bashkërisht”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “zhvilloi një bisedë telefonike me Komisionerin e caktuar për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, i cili do të mbërrijë sot në Shqipëri. Komisioni Europian dha 15 milionë euro, që është një fond që është nxjerrë me urgjencë nga portofoli i Komisionerit që ka zëvendësuar Hahn, por gjëja më e rëndësishme është që konfirmoi konferencën e donatorëve, e cila do të bëjë që të jetë mundësia për të bërë një kontribut përtej kontributit të BE-së, ndërkohë që më kanë thënë se po punojnë edhe për atë kërkesën tonë që fondet IPA të Shqipërisë të mblidhen në një paketë”.

“Nuk di ta them datën, por unë thashë që duhet patjetër të bëhet në janar konferenca e donatorëve. Tani të shkojmë edhe tek Bruno Vespa, që të motivohen njerëzit”, – tha Rama.
Gjatë qëndrimit në bar, Kryeministri Rama takoi edhe një shqiptar, që punonte si kamerier, i cili tha se “jetoj që nga 2003 në Itali, jam nga Elbasani. Më erdhi keq shumë për tërmetin që ndodhi në Shqipëri, më bëhet qejfi që Italia po ndihmon dhe shumë shtete të tjera”.
Kryeministri u shpreh se “Italia ka ndihmuar jashtëzakonisht. Shikohemi më vonë te Bruno Vespa, në 11:30 i vjen radha panelit tonë, do të jetë edhe i madhi Vittorio Sgarbi”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.