Balla në Kamzë: Brenda javës fillon ndërtimi i 24 banesave të reja për të prekurit nga tërmeti i 21 shtatorit

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Tërmeti i 26 nëntorit, shkaktoi dëme edhe në Kamzë. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, bashkë me kryetarin e bashkisë, Rakip Suli dhe deputetë të tjerë inspektuan dhe panë sot nga afër gjendjen e banesave të prekura nga tërmeti.

Balla u shpreh se për familjet e prekura janë vënë në dispozicion çadra, ndërkohë që brenda javës fillon ndërtimi i 24 banesave të reja për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit.

Kreu i bashkisë së Kamzës u shpreh për masat që janë marrë nga bashkia menjëherë pas tërmetit, që me evidentimin e problematikave, sigurimin e ushqimit, veshjeve e gjithçka të nevojshme për banorët e prekur nga tërmeti.

Balla deklaroi se është shumë e rëndësishme që familjet e prekura nga tërmeti t’i kthehen normalitetit dhe bashkia duhet t’u qëndrojë afër.

“Duhet të nxisim të gjithë të kthehemi në normalitet, aty ku dëmet e banesave nuk janë të tilla që kanë bërë të pabanueshme banesat, pra nuk kanë prekur strukturën dhe për asnjë moment nuk vihet në rrezik jeta e qytetarëve. Ju do të vijoni procesin e vlerësimit të të gjitha dëmeve. U informuar që janë dy kopshte të cilat janë në situatë të vështirë dhe që duhet urgjentisht të gjeni dy ambiente të tjera me qira, që procesi i edukimit të fëmijëve të mos ndërpritet për asnjë moment, por të vijojë normalisht. Pjesa e furnizimit me ndihma ushqimore dhe gjithçka tjetër në koordinim me shtabin qendror të qeverisë duhet të vijojë, për të garantuar që familjet e prekura nga situata e tërmetit dhe dëmtimi i banesave të mos iu mungojë asgjë.

E rëndësishme është që nuk ka më hapësirë për panik. Është shumë e rëndësishme që jeta normale të rifillojë. Për familjet janë në kushte të vështira të vijojë kujdesi nga ana e bashkisë. Siç është edhe porosia e Kryeministrit, familjet që janë në çadër përkohësisht brenda javës duhet të bisedohet për t’i sistemuar me qira në disa ambiente që ka këtu në Kamzë. Këshilli bashkiak, edhe pse e dimë që ke trashëguar një bashki të varfër, ose më mirë të falimentuar për shkak të borxheve të mëdha, duhet që brenda atyre mundësive, edhe me mbështetjen e biznesit, edhe të vetë familjeve që ofrohen t’u gjejmë për t’i sistemuar përkohësisht në banesa me qira”, deklaroi Balla.

e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.