Vlerësimi i dëmeve nga tërmeti/ Soreca i bashkohet grupit të inxhinierëve në Krujë

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Skuadra të përbëra nga inxhinierë teknikë nën koordinimin e Skuadrës së Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së janë në terren për të vlerësuar dëmet në ndërtesat e zonave të prekura nga tërmeti. Përparësi i janë dhënë shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës kritike.

Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca iu bashkua këtë pasdite një grupi inxhinierësh teknikë nga Shqipëria, Italia, Greqia dhe Zvicra të cilët po vlerësonin dëmet në ndërtesa dhe shkolla në Krujë. Në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti po bëhen inspektime dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Më herët gjatë ditës, ambasadori Soreca vizitoi qendrën e shpërndarjes së ndihmave në Manzë, Durrës.

“Sot vizitova qendrën e shpërndarjes së ndihmave në Manzë ku 80 familjeve po ju ofrohet ndihmë falë Federatës Ndërkombëtare të Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe USAID në koordinim me Mekanizmin e BE-së për Mbrojtjen Civile. Fokusi është dhënia e përparësisë grupeve në nevojë,” shprehet ambasadori Soreca. /a.a/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.