Vitin e ardhshëm asnjë blerje për makina e dollapë, kryebashkiakët të lëvizin me kalë

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/Në vitin e ardhshëm do të bllokohen të gjitha blerjet e makinave, dollapeve, kolltuqeve, tavolinave, televizorëve dhe pajisjeve të tjera në të gjitha bashkitë e vendit.

Kështu deklaroi kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të së martës ndërsa nuk kurseu batutat për kryetarët dhe administratorët e bashkive.

“Përsa i përket fondit, ne do të kalojmë si moment të parë, si faze të parë nga buxhetit 2020, 0,4% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar duke garantuar dhe siguruar që deficiti primar pozitiv të mbetet pozitiv. Asnjë ndryshim parametrash që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e të gjithë sistemit makro-ekonomik dhe pasi deficiti primar pozitiv do të na mundësojë atë që është domosdoshmëri, një likujditet të domosdoshëm për operimin në vitin 2020. Njëkohësisht po studiohen edhe cilat fonde mund të transferohen për vitin e ardhshëm nga viti 2019. Ka një zë në projektbuxhet që lidhet më të gjithë shpenzimet. Në vitin e ardhshëm nuk do blihet asnjë makinë, nuk do të pajiset asnjë zyrë, nuk do të bëhet asgjë nga ato që kanë qenë rutina e përvitshme dhe do të bllokohen të gjitha blerjet e makinave, dollapeve, kolltuqeve, tavolinave, televizorëve dhe të gjithë me radhë në të gjitha bashkitë e vendit. Asnjë shpenzim për këtë punë. Kush do të jetë keq për një makinë, të gjejë një kalë edhe nuk ka problem. Kryetar bashkish me kuaj do të ishin një inovacion ekologjik dhe sidomos kryetar njësish administrative me kuaj, do të ishin të mirëse ardhur në komunitet që të shkonin shtëpi më shtëpi me kalë dhe të mos vinin vërdallë me vetura në qendrën e qytetit. Përtej metaforës, kjo është në fakt e vërteta”, -tha Rama.

Kryeministri informoi po ashtu se “donacionet në llogarinë e posaçme janë pjesë e fondit. Ndihma dhe financimet specifike për programin nga institucionet ndërkombëtare dhe ndihma për financimet specifike në marrëdhëniet dy palëshe. Portofoli do të jetë i hapur, ne do të dëgjojmë shumë, do të përgatitemi për të dëgjuar shumë dhe duhet të bëjmë ç’mos që purifikojmë sa të mundemi kanalet e komunikimit nga toksinat dhe nga kontaminimi sepse do të ketë shumë mbetje toksike të mendjeve të zymta që do të rrjedhin nëpër kanalet e komunikimit për të vazhduar çoroditjen shkatërrimin e nervave të këtij mileti. Çfarë nuk do të dëgjojmë”. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.