VIDEO/ Elisa, vogëlushja e lindur ditën e tërmetit sjell shpresë e gëzim në familjen e strehuar në hotelin në Golem

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Elisa është foshnja që lindi ditën e tërmetit më 26 nëntor dhe sot ajo është akomoduar bashkë me prindërit e vëllain e saj 6 vjeç, në hotelin “Albania Star”, në Golem të Durrësit.

“Unë e kisha të përcaktuar ditën e lindjes paraprakisht, na tregon Alma nëna e Elisës, pasi do të lindja me operacion. Por pikërisht atë ditë ra tërmeti që goditi shumë rëndë shtëpinë tonë dhe shumë banesa të tjera në Durrës”.

“Nga paniku nuk shkova në maternitetin e Durrësit. Vendosëm në familje të shkonim në Berat për të lindur, pasi tërmeti kishte prekur edhe Tiranën. Por tani, bashkë me bashkëshortin, djalin dhe Elisën e vogël, jemi akomoduar në hotelin “Albania Star”, në Golem të Durrësit”, – thotë Alma.

Mes emocionesh ajo shprehet shumë e kënaqur për kushtet dhe shërbimet që ju ka ofruar hoteli.

“Këtu kushtet janë shumë të mira, është ngrohte dhe kam gjithçka të nevojshme që më duhet, veçanërisht për vajzën e vogël shtatëditëshe. Dhoma familjare që na është vënë në dispozicion të familjes time, nga administratori i hotelit, i cili ka akomoduar në ambientet e hotelit edhe familje të tjera nga Durrësi, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, janë shumë të mira dhe në dispozicion të vazhdueshëm janë edhe mjekët”- thotë Alma.

Ndërsa Elefteria mjekja që gjendet në dhomë për të kontrolluar treguesit shëndetësor të Elisës së vogël, shprehet për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “në hotel “Albania Star” ka një grup të madh mjekësh që janë angazhuar për t’i shërbyer njerëzve në këto situata, duke filluar që nga fëmijët e sapolindur, deri tek moshat më të mëdha e të sëmurët kronik”.

“I kushtojmë kujdes të veçantë mjekimit që bëjmë dhe kemi në dispozicion çdo medikament të nevojshëm”, thotë mjekja.

Në rastin konkret, shprehet e kënaqur ajo, pasi ka vizituar Elisën e vogël, deri tani puna ka ecur mbarë. “Nuk kemi pasur asnjë komplikacion. Të gjithë treguesit i ka shumë mirë dhe vajza gëzon shëndet të plotë”, thotë ajo. /e.xh//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.