Tërmeti, Veliaj bën bilancin e dëmeve: Kemi inspektuar 460 pallate dhe 2800 shtëpi

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ – Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri edhe një bilanc të dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në kryeqytet. Duke garantuar se Tirana do e kalojë edhe këtë sfidë, Veliaj theksoi se një nga detyrat urgjente është identifikimi i pallateve të dëmtuara në qytet dhe në fshat.

“Deri tani kemi inspektuar 460 pallate dhe mbi 2800 shtëpi dhe po vijohet përditë me inspektimet e tjera. Nga këto inspektime na rezulton, se kemi të pabanueshme 53 pallate dhe 390 shtëpi. Kemi marrë një numër masash urgjente: 370 çadra janë shpërndarë në total pranë banesave të familjeve nëpër kampe; 1649 familje janë evakuuar, nga të cilat 1003 nga pallatet e dëmtuara.

Në qendrat sociale janë sistemuar 488 njerëz. Të gjitha qendrat sociale dhe të strehimit janë pajisur me ndihma, sipas nevojave dhe kërkesave, gjatë të gjithë kohës. Dëshiroj t’ju informoj se ndërkohë janë inspektuar të gjitha çerdhet dhe kopshtet”, tha Veliaj. /a.sh./j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.