Situata pas tërmetit, Meta: Tani është momenti i bashkëpunimit, përvojë e tmerrshme nga e cila duhet të mësojmë

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Gjendja e jashtëzakonshme që po kalon vendi si pasojë e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që la pas 51 të vdekur ka shtyrë pothuajse të gjithë axhendën e politikës. Edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur ta shtyjë për një kohë të pacaktuar tubimin e thirrur prej tij në 8 dhjetor për mbrojtjen e demokracisë dhe Kushtetutës.

“Sigurisht që kjo situatë prevalon mbi çdo lloj iniciative tjetër. Tani është momenti i bashkëpunimit, i bashkëveprimit për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe, me të cilën po ndeshet vendi dhe sidomos mijëra e mijëra familje të qarkut të Tiranës, të qarkut të Durrësit, të qarkut të Lezhës, por edhe në zona të tjera që janë dëmtuar më pak. Kjo është prioritare dhe sigurisht që nuk është koha dhe nuk është momenti për të krijuar, apo për të mbajtur një fokus tjetër. Sigurisht që kjo nuk do të thotë se unë kam ndryshuar mendim se cila është rruga që do të çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë shqiptarët të ndihen zot të vetes së tyre dhe të vendit të tyre. Kjo është vetëm një rrugë dhe është rruga e referendumeve, por natyrisht nuk është koha më 8 dhjetor për të tërhequr njerëzit nga terreni, nga ndihma, nga përkrahja që po u bëjnë bashkëqytetarëve të tyre,” u shpreh Meta për emisionin “Përballë” në RTSH.

Ai tha se zbatimi i Kushtetutës është rruga e vetme për daljen nga kriza të vendit dhe Kushtetuta sipas tij në disa raste parashikon edhe referendum për çështje të veçanta dhe delikate.

“Rruga më e sigurt që Shqipëria të lërë pas këtë status-quo të krizave të vazhdueshme artificiale, të mungesës së dialogut politik, por për fat të keq edhe të mungesës së marrjes së përgjegjësive për të gjitha pasojat që pëson vendi apo që pësojnë qytetarët, është rruga e zbatimit të detyrimit kushtetues që populli shqiptar ka vendosur vetë me referendum më 22 nëntor 1998, që ai për çështje të veçanta të shprehet vetë me referendum, pavarësisht qëndrimit apo vlerësimit të forcave të caktuara politike. Mendoj që kjo do të bënte të mundur që partitë dhe palët të jenë nën presionin e qytetarëve, të interesit të tyre, të interesit publik, të interesit kombëtar dhe jo për fat të keq si deri tani qytetarët shpesh janë viktimë e palëve, e mosmarrëveshjeve të tyre, e mosmarrjes së përgjegjësive nga ana e tyre dhe po kështu edhe vendi,” u shpreh Presidenti Meta.

Në intervistën e tij, Presidenti i ka drejtuar kërkuar organit të akuzës vënien para përgjegjësisë penale të të gjithë zyrtarëve shtetërorë dhe ndërtuesve privatë për shembjen e pallateve. “Prokuroria t’i shkojë deri në fund këtyre hetimeve për të evidentuar përgjegjësitë penale të të gjithë personave, përfaqësues të institucioneve vendore, qendrore apo biznesit privatë, për gjithë këtë fatkeqësi, apo më saktë për ato objekte që nuk i kanë rezistuar këtij tërmeti dhe për të cilat ka pasur edhe shqetësime apo paralajmërime më parë për t’u verifikuar. Pasi dihet që ky tërmet është paraprirë nga një tjetër mjaft serioz si ai i 21 shtatorit 2019,” deklaroi ai.

“Është një krizë e përmasave mjaft të jashtëzakonshme. Shqipëria ka përballuar në të kaluarën kriza humanitare, siç ishte kriza humanitare të Kosovës, e cila ishte e përmasave gjigante, por kjo është diçka krejt tjetër. Është një përvojë e tmerrshme, nga e cila duhet të mësojmë çdo orë e çdo minutë se si të përmirësojmë mekanizmin ballafaques”, shtoi më tej ai.

Në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Meta tha se “është kërkuar që të kemi sa më shpejt, jo vetëm një sistemim sa më të përshtatshëm të qytetarëve, apo të banorëve, në varësi me kushtet, apo rrethanat e tyre, por kemi kërkuar edhe që sa më shpejt të kemi një verifikim të të gjitha banesave, nëse ato do të jenë të sigurta në të ardhmen për jetën e qytetarëve, nëse do të duhet të rikonstruktohen, apo të shemben për të mos rrezikuar më jetën e tyre në çdo rast të ngjashëm. Është gjithashtu mjaft e rëndësishme që sa më shpejt të kemi dokumentacion të besueshëm për institucionet ndërkombëtare, për të mbështetur financiarisht këtë proces rehabilitimi të pasojave afatgjata të këtij tërmeti.” /a.sh./j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.