Programi i rindërtimit për ata që humbën strehën nga tërmeti

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Ky nuk është program strehimi për të pastrehët e mëparshëm, por është program strehimi për ata që humbën strehën nga tërmeti”, deklaroi sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se është me shumë rëndësi të kemi një listë shumë të saktë të personave që do të hyjnë në programin e rindërtimit.

“E kemi diskutuar disa herë me të plotfuqishmin dhe Ministrin e Turizmit që duhet tani të fillojmë të kthejmë në shtëpi nga hotelet ata të cilët nuk e kanë banesën të dëmtuar, por që janë aty nga frika”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi që të bëhet kujdes me të moshuarit. “Nëse shikoni shenja që janë akoma nën një situatë psikologjikisht jo të mirë mos insistoni, prandaj duhet që edhe psikologët që janë vënë në dispozicion të japin opinionin e tyre. Ashtu sikurse edhe ata që janë të pastrehë më parë”, tha Rama.

Ai tha se “duhet të jemi shumë bujar dhe shumë të gatshëm të fusim në hotel këdo që e meriton si rezultat i goditjes”.

“Duhet të jemi shumë strikt ndaj kujtdo që nuk ka marrë goditje, por kur them strikt me një komunikim të durueshëm dhe me dashamirësinë maksimale, sepse sidoqoftë edhe ata janë të traumatizuar nga kjo që ndodhi”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.