Kredimarrësit e prekur nga tërmeti/ Bankat ristrukturim kredive pa kosto shtesë

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/- Bankat tregtare kanë hartuar një plan masash për të lehtësuar kredimarrësit e prekur nga tërmeti, përmes ristrukturimit të huave, pa aplikuar kosto shtesë.

Gjatë një takimi sot në Tiranë me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, drejtuesit e bankave që operojnë në vendin tonë, u shprehën se kanë bërë vlerësimin e situatës së krijuar në qytetet e dëmtuara nga tërmeti dhe, pavarësisht dëmtimeve të disa mjediseve në zona të caktuara, janë angazhuar për vazhdimin normal të ofrimit të të gjitha shërbimeve të nevojshme financiare.

Ata theksuan se po vlerësojnë individualisht të gjithë klientët e tyre kredimarrës të prekur nga tërmeti, për të pasur një panoramë më të qartë të situatës. Po ashtu, drejtuesit e bankave theksuan se në shenjë solidariteti, secila bankë po vlerëson individualisht mundësinë për të kontribuar me donacione të formave të ndryshme, në ndihme të familjeve të prekura nga kjo ngjarje.

Gjithashtu ai iu kërkoi bankave ofrimin e asistencës dhe bashkëpunimit të plotë për të gjithë ata klientë kredimarrës të prekur nga dëmet e tërmetit, në marrëdhëniet me kompanitë e sigurimit. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.