Financimi i strehimit në bazë të kritereve strikte, ndërtimet e reja shembullore nga çdo aspekt

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/Në mbledhjen e jashtëzakonshme, kryeministri Edi Rama deklaroi të martën se, financimi i strehimit do të bëhet në bazë të kritereve strikte.

Rama informoi se ndërtimet e reja do të jenë shembullore dhe se do të vendosen një lloj standardi sesi qeveria mund të ndërtojë në të njëjtin nivel me shumë më pak shpenzime krahasuar me ata që janë në avangardën e industrisë së ndërtimit

“Për financimin sigurisht që do të kemi kritere strikte për sigurimin prioritar të strehimit. Do të bëjmë ndërtime të reja që do të jenë shembullore nga çdo aspekt. Do të vendosim një standard sesi qeveria mund të ndërtojë në të njëjtin nivel dhe me shumë më pak shpenzime që ndërtojnë ata që janë në avangardën e industrisë së ndërtimit. Ne do ta shohim këtë program si një program që duhet të impaktojë drejtpërdrejtë ekonominë e vendit, që duhet të rrisë punësimin dhe që duhet të rrisë konsumin. Pra, nga ky program ne do t’i sjellim në ekonomi dhe jo t’i marrim ekonomisë siç do bënin të tjerët dhe siç sugjerojnë disa që nuk dinë asnjë muhabet tjetër përveçse avazit të vjetër që na ka sjellë në shumë drejtime aty ku ne sot jemi, pavarësisht punës që kemi bërë në këto 6 vite. Nuk bëhet fjalë thjesht për një efekt transferimi të ardhurash si në rastin e financimit të blerjes së apartamenteve ekzistuese por edhe një opsion për ata që sigurojnë vetë një banesë dhe ndihma e përcaktuar nga shteti shkon për ta është pjesë e skemës duke u studiuar”, – u shpreh Rama. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.