Arrestohet punonjësi i policisë, mundësoi pajisjen me diplomë false të një shtetasi

TIRANË, 3 dhjetor  /ATSH – I. Vata/- Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat SHÇBA, arrestoi sot një punonjës policie të dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

SHÇBA  sqaron se “Arrestimi i punonjësit të policisë E. SH., 47 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, Komisariati i Policisë Nr. 2, Tiranë u krye me urdhër të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për ekzekutimin e Vendimit të kësaj Gjykate mbi caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal”.

“Punonjësi i policisë E. SH. dyshohet se duke ndërhyrë tek personat me funksione, të punësuar në një universitet privat, mundësoi pajisjen me diplomë të një shtetasi, edhe pse ky i fundit nuk ndoqi për asnjë ditë procesin mësimor, në këmbim të përfitimit të shumës prej 1500 eurove”, sqaron SHÇBA.

Po ashtu SHÇBA  sqaron se “Arrestimi u krye në kuadër të Proçedimit Penal Nr. 3343, viti 2019, regjistruar nga Prokuroria Pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.