VIDEO/Voda: 2633 persona të strehuar në hotele në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë

TIRANË, 2 dhjetor/ ATSH/- Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, theksoi sot se pas tërmetit të 26 nëntorit vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim, ndërsa numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2633.

Në një deklaratë për shtyp zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, duke ofruar një informacion dhe bilanc paraprak mbi punën e institucioneve publike për adresimin e pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor theksoi se “gjatë ditës së sotme u miratuan nga Këshilli i Ministrave paketat e ndihmës për familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që përfshijnë strehimin e menjëhershëm të familjarëve, pensione speciale, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë mortore”.

“Janë kontaktuar familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre të menjëhershëm dhe fillimin e procedurave për marrjen e pensioneve speciale, vazhduan të funksionojnë Shtabet e Emergjencës në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilat menaxhojnë të gjitha aspektet e punës për adresimin e pasojave afatshkurtra dhe afatmesme të tërmetit”, – theksoi Voda.

Zv/ministrja Voda u shpreh se “u liruan katër palestra në Durrës, pas verifikimeve të bëra me Njësitë Administrative. Banorët që janë bërë të pastrehë nga tërmeti u sistemuan në strukturat hoteliere. Në terren vijon me intensitet puna për inspektimin e të gjithë dëmeve në banesa nga ekipet vendase dhe ndërkombëtare në të gjithë qarqet e prekura. Në Tiranë janë ngritur 27 grupe vlerësimi. Në Durrës, grupi i ekspertëve të vlerësimit të banesave përbëhet nga 70 ekspertë inxhinierë, nga të cilët 50 të huaj. Në Kamëz janë 4 grupe pune në terren, në zonën e Bathores dhe atë të Paskuqanit nga tre grupe pune secila. Në Rrogozhinë veprojnë 5 grupe verifikimi, ndërkohë që vazhdon inspektimi në terren edhe në të gjitha zonat e tjera të prekura, si Kruja, Laçi, Lezha, Shijaku apo Vora”.

Lidhur me dëmet në banesa në qarkun Tiranë, rezultojnë 2 mijë objekte të dëmtuara, nga të cilat 410 shtëpi private të pabanueshme. Sa i përket pallateve, 202 të dëmtuar dhe 4 të pabanueshëm.

“Në qarkun Durrës, është ngritur njësia e koordinimit për vlerësimin e dëmeve në koordinim me zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli. Ekipe të vlerësimit me ekspertë kanë ardhur: Greqia, Turqia, SHBA, BE, Zvicra, Franca. Ekipe shqiptare: Instituti i Ndërtimit, inxhinierët e Bashkisë Durrës, Fondi i Zhvillimit dhe Departamenti i Rrugëve (ARRSH), të cilët janë ndarë në ekipe në 11 Njësitë Administrative Durrës. Grupet e inspektimit janë shpërndarë përkatësisht në: Ishëm, Manëz, Katund i Ri, Rrashbull, Rajoni 1, Rajoni 2, Rajoni 3, Rajoni 4, Rajoni 5, Rajoni 6, Sukth”, – tha Voda.

Voda theksoi se “bilanci paraprak është bashkia Durrës – 187 Objekte të inspektuara, 86 të pabanueshme, 4 për t’u prishur, bashkia Krujë – 46 Objekte të inspektuara, 5 të pabanueshme, asnjë për t’u prishur; bashkia Shijak – 45 Objekte të inspektuara, 25 të pabanueshme, asnjë për t’u prishur; në rang qarku, 278 objekte të inspektuara. Ndërsa
vazhdon shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, ora 13:30, janë prishur 14 objekte të shkatërruara, 7 objekte në qytetin e Thumanës dhe 7 objekte në Durrës”.

“Aktualisht, në Durrës vijon aksioni dhe po punohet në 8 objekte dhe në Thumanë, në 1 objekt. Me grupet e vlerësimit në terren, raporti për dëmet materiale po përditësohet orë pas ore, por paraprakisht, në rang kombëtar ekziston ky bilanc:banesa të shembura janë 131, banesa të dëmtuara rëndë janë 3 811, banesa të dëmtuara lehtë janë 3 149, pallate të dëmtuar rëndë janë 461, pallate të dëmtuar lehtë janë 324 dhe pallate të shpallur të pabanueshëm pas verifikimit janë 20”, – tha Voda.

Ndërkohë, shtoi ajo,  vijon procesi i strehimit të personave të strehuar në hotele, çadra, qendra sociale, familje e të afërm .

“Sipas të dhënave të deritanishme, janë: Në hotele: ​1 961 qytetarë, në çadra: ​964 qytetarë. Duhet të kujtojmë se shumë nga të dëmtuarit kanë kërkuar vetë të qëndrojnë në çadra në zonat rurale, për të asistuar dhe për t’i qëndruar pranë gjësë së gjallë dhe bagëtisë”, tha Voda duke shtuar se në qendra sociale janë akomoduar ​867 qytetarë, në familje dhe të afërm ​2 525 qytetarë.

Voda tha se “në bashkinë e Durrësit është krijuar qendra dispecer, ku janë vendosur 6 telefona dhe operatorë të cilët nisin punën brenda ditës së sotme. Shumë shpejt, kjo qendër do të jetë funksionale për të pritur çdo telefonatë dhe për të koordinuar për çdo shqetësim”.

Voda ftoi të gjithë qytetarët të kontaktojnë për çdo nevojë asistencë apo ndihmë materiale, ndërsa numrat do të afishohen në vijim.

Sot është dita e gjashtë pas tërmetit të rëndë të 26 nëntorit, i cili solli tragjedinë e humbjes së jetës për 51 bashkëqytetarët tanë dhe shkaktoi të lënduar dhe dëme të mëdha në shumë banesa në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.