Rama: Po mobilizojmë solidaritet ndërkombëtar për kurimin e plagëve nga tërmeti

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH-Maela Marini / Kryeministri Edi Rama foli sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, mbi përpjekjet që po bëhen për të mobilizuar një solidaritet ndërkombëtar për kurimin e plagëve të tmerrshme nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Dua të shtoj këtu se kam marrë disa reagime të para nga të gjitha letrat dërguar në të gjithë botën, reagime inkurajuese që shpresoj do të pasohen sot nga të tjera për të mobilizuar një solidaritet ndërkombëtar, që me thënë të drejtën në nivelin e komunikimit ka qenë i menjëhershëm”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “na takon të bëjmë gjithçka që ta kthejmë këtë në një solidaritet të vazhdueshëm në funksion të kurimit të këtyre plagëve të tmerrshme”.

“Është konfirmuar edhe një adresim i imi në konferencën e madhe të investitorëve të Rajonit Lindor që Presidenti i Republikës së Turqisë ka organizuar, dhe sipas fjalëve, për momentin do ta adresojmë bashkarisht duke kërkuar solidaritet maksimal edhe nga sipërmarrja e pranishme në atë konferencë, që zhvillohet çdo vit, por që do të ketë një sesion të veçantë për tërmetin në Shqipëri me mundësinë e adresimit të saj dhe të sensibilizimit të tyre”, tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.